Die. Nën 24th, 2024

Pakujdesia e qytetarëve po shkakton zjarret, AME thotë se duhet të shtohen kapacitetet

Shpërthimi i zjarreve po ndodhë nga pakujdesia e qytetarëve, thotë Nehat Koqinaj nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent. Ai thekson se zjarrvënia është vepër e rëndë penale, për çka shton se Policia e Prokuroria po hetojnë rastet e ditëve të fundit. Udhëheqësi i divizionit për çështje ligjore, marrëdhënie me publikun dhe ndërkombëtare nëAME, thekson se gjatë intervenimeve në Prevallë, janë lënduar disa zjarrfikës.

Ai flet edhe për nevojën e shtimit të kapaciteteve për reagim në këto raste.

Nehat Koqinaj nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent konsideron se dora e njeriut është shkaktari kryesor në vënien e zjarreve.

Koqinaj: Zjarri shkaktohet nga pakujdesia në 99 për qind të rasteve

“Në shumicën e rasteve, të gjitha statistikat thonë se zjarri shkaktohet nga pakujdesia në 99 për qind të rasteve, e pakujdesinë e shkaktojnë njerëzit. Që do të thotë se sipas gjasave njeriu është shkaktari kryesor i shpërthimeve të zjarreve në zonat ku po paraqiten si vatra zjarri dhe ato kryesisht po shkaktohen nga pakujdesia dhe për të mos ia shtuar edhe ndoshta qëllimet e këqija ose piromaninë ose nuk e di çfarë arsye por dora e njeriut është kryesisht shkaktari kryesor në vënien e zjarreve”, deklaron Koqinaj.

Zjarrvënia është vepër e rëndë penale, thekson Koqinaj, teksa shton se mund të sanksionohet me burgim të përjetshëm.

Koqinaj: Policia me Prokurorinë janë në investigim të rasteve të caktuara

“Policia me Prokurorinë janë në investigim të rasteve të caktuara dhe natyrisht se zjarrvënia është vepër e rëndë penale, nuk është vetëm vepër penale. Vepër e rëndë penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës në dy nene ceket specifikisht zjarrvënia kur edhe mund të shkaktojë, prodhojë efekte në jetë njeriu është vepër e rëndë penale dhe sanksionohet me një nga nën nenet e Kodit Penal dhe me burgim të përjetshëm ku si pasojë vie deri tek rrezikimi dhe humbja e jetës së njeriut”, shton ai.

Derisa fton qytetarët për kujdes, Koqinaj tregon se gjatë intervenimit në Prevallë ku për disa ditë ka qenë vatër zjarri janë lënduar disa zjarrfikës.

Koqinaj: Kapacitetet duhet të zhvillohen për reagim nga ajri

“Në reagim në Prevallë sidomos kishte edhe disa pjesëtarë të njësive profesionale të zjarrfikës dhe shpëtimit të lënduar dhe si rezultat i atyre duhet pasur parasysh që në një të ardhme shumë të afërt kapacitetet e Kosovës për reagim të zhvillohen më shumë se sa që janë aktualisht dhe të mundësohet reagimi nga ajri në momentin e parë kur është i nevojshëm… Angazhimi qytetar ose përgjigja e komunitetit të kërcënuar ose afektuar nga një rrezik është çelës i zhvillimit të mëtutjeshëm. Bashkëpunimi i institucion përgjegjës me qytetari aktive i bën zgjidhje secilit problem në të ardhmen”, përfundon ai.

Për të shuar zjarrin në Prevallë, KFOR-i ka intervenuar me helikopterë, ku nuk është raportuar për rrezikim të banorëve përreth./kp

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *