Mar. Nën 26th, 2024

Paralajmëron Latifi: Nëse kemi përkeqësim të gjendjes do të mbyllen shkollat, mund të ketë edhe rishikim të masave

Situata e rënduar pandemike në vend ka qenë shkak që sot ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi të raportojë para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Gjatë raportimit Latifi u shpreh se javëve të fundit vendi po ballafaqohet me një rritje të shpejtë të rasteve pozitive me dominim të variantit Omicron, por theksoi se krahas kësaj rritje numri i të hospitalizuarve në klinika dhe spitale vazhdon të jetë i ulët.

Gjatë këtij raportimit, ministri i Shëndetësisë paralajmëroi edhe mbylljen e shkollave në rast të përkeqësimit të situatës pandemike, ndërsa u shpreh se vazhdimisht janë duke e përcjellë gjendjen dhe nuk përjashtoi mundësinë e rishikimit të masave anti-COVID.

Latifi duke folur për situatën me COVID-19 u shpreh se Kosova sa i takon rasteve të vdekjeve ka më pak raste krahasuar me vendet e rajonit.

Latifi: Në javët e fundit përjetuar ngritje të vazhdueshme të infektimeve por jo edhe të hospitalizimeve

“Në javët e fundit ne kemi përjetuar një ngritje të vazhdueshme të numrit të të infektuarve me COVID-19, ku numri më i madh është i shkaktuar nga varianti Omicron. Kjo nuk është diçka e re e as e papritur vetëm në shtetin tonë, por është e përbashkët me të gjitha vendet tjera në Evropë, ShBA dhe botë. Përkundër shtimit të të infektuarve, fatbardhësisht numri i atyre që kërkojnë kujdes në spital ose në kujdesin intensiv ende është i ulët dhe i menaxhueshëm, megjithatë ne jemi në vlerësim për çdo orë dhe disa herë në ditë situatën e përgjithshme, kapacitetet humane dhe infrastrukturën spitalore që të ballafaqohet me fluks të mundshëm të atyre që kërkojnë ndihmë… Numri i punëtorëve shëndetësorë që po infektohen gjatë punës së tyre me pacientë po edhe aftësinë e sistemit shëndetësor që të përballojë edhe një fluks të madh nga COVID, ne e kemi ndërruar statusin e kthimit në punë për punëtorët shëndetësor brenda pesë ditësh nëse nuk kanë shenjta klinike në mënyrë që mos të kemi probleme të mëdha me menaxhim të të sëmurëve në spital”, u shpreh ai.

E kritika për marrjen e vonuar të masave anti-COVID adresoi anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj i cili tregoi se gjatë ditës së sotme kanë vdekur dy pacientë si pasojë e koronavirusit.

Dreshaj ngiti si shqetësim edhe mosrespektimin e masave mbrojtëse si mbajtja e maskës dhe dorezave të mjekëve dhe infermierëve në Klinikën Infektive, për çka tha se po rrezikohet që sistemi shëndetësor të mbetet pa profesionistë shëndetësor që do kujdesen për pacientët.

Dreshaj: Sot në Klinikën Infektive kanë vdekur dy pacientë

“Karakteristikë e përgjithshme e derisotme e menaxhimit ë situatave shëndetësore është reagimi post-festum. Pasi është bërë problemi kemi filluar të debatojmë për të hartuar masa dhe për të vepruar, kisha dashur që kjo të jetë hera e fundit që pasi të ngritët shqetësimi të fillojmë të veproni. Gjitha vendet e rajonit kanë qenë në pandemi me Omicron 1 muaj para neve… Sot janë në Klinikën Infektive, dy në mjekimin intensiv kanë vdekur, do i keni në raport. Brengosëse për mua është stafi i infektuar në Klinikën Infektive. Deri më sot prej fillimit të pandemisë me Omicron janë 8 mjekë dhe 9 infermierë që janë infektuar me COVID. Unë dje isha në klinikë dhe bëra vizitën, për Zotin, ka filluar njëfarë relaksi pak kush me doreza, maska herë mbahej e herë nuk mbahej në shumicën e vendeve nuk kishe as për të dezinfektuar duart, mendonin se është një situatë krejt normale, realisht nuk është situatë normale që nëse vazhdon një trend i tillë shpejt kemi me mbetur pa staf mjekësor për tu kujdesur të pacientët”, u shpreh Dreshaj.

Ndërsa, ministri Latifi u shpreh se nuk ka hapësirë për relaksim të profesionistëve shëndetësor.

Latifi: Nuk kemi hapësirë për relaksim

“Është shumë shqetësuese ai fakti se nëse relaksohemi nëpër spitale, nëse ne relaksohemi në kujdesin intensiv unë kam shkuar disa herë aty, fatkeqësisht kur unë aty shkoj nuk shoh asnjë relaksim fatbardhësisht por ajo është shumë shqetësuese dhe duhet me u marrë sepse nuk kemi hapësirë për asnjë relaksim”, theksoi ai.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj iu drejtua ministrit Latifi se ai po vazhdon të ndihet komod në këtë periudhë kur ka rritje të jashtëzakonshme të rasteve të infektimeve.

Zemaj ka konsideruar se me vendosjen e masës anti-COVID për të hyrë në Kosovë është ngritur një konflikt pozitiv që synon menaxhim të pandemisë.

Zemaj: Akoma vazhdoni të ndiheni komod me situatën pandemike në vend

“Akoma vazhdoni të ndiheni komod me situatën pandemike në vend. Unë iu inkurajoj që të merreni me ngritjen e kapaciteteve profesionale por ne jemi në një situatë pandemike duke u përballë me një rritje të jashtëzakonshme të numrit të infeksionit. Na intereson si deputetë të këtij Kuvendi, nëse është nga paaftësia qeverisëse të shohim se çka mundemi me ndihmu në këtë pjesë, nëse është nga mungesa e informacionit dhe neglizhenca që është parë në tre muajt e fundit pa dashur që detyrimisht t’iu bëjë pjesë të kësaj sepse këtë logjikë e kemi parë edhe në pjesën e parë të vitit të kaluar ku pasojat janë evidente… Tek përkrahja për profesionistët shëndetësor vazhduat edhe ju me shembullin e keq, ju qeveria sepse je në emër të qeverisë sot keni dëgjuar me atë lëmoshën e njëjtë prej 10% të pagës ose 60 euro dhe po kërkoni punë dhe përkushtim në mungesë të ligjit të Pagave… Na keni futur në një konflikt pozitiv me vëllezërit dhe motrat tona të menaxhimit të pandemisë me shqiptarët e Shqipërisë dhe ata që lëvizin më shumë në Maqedoninë Veriore dhe sidomos me këta që kanë jetën më të vështirë dhe jetojnë në një shtet i cili nuk është miqësor ndaj Kosovës, Luginën e Preshevës”, u shpreh Zemaj.
Advertisement

Në këtë situatë pandemie, Zemaj si shqetësim më të madh ka konsideruar shkollat dhe numrin e madh të infektimeve. Madje ai i ka quajtur abuzuese deklarimet e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci që të vendosin task-forca për mbarëvajtjen e mësimit.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi nuk e përjashtoi mundësinë e mbylljes së shkollave në rast të përkeqësimit të situatën pandemike në vend.

Latifi: Nëse përkeqësohet gjendja absolutisht duhet të mbyllen shkollat

“Nuk ka neglizhencë këtu, ka administrim të mirë në realitet ne të gjithë kemi me mësu mësime dhe me bë më mirë në herët e ardhshme… Po t’i kishim mbyllur ne shkollat sot kish me qenë një problem jashtëzakonisht i madh. Këtë ua kemi lënë shkollave, komuniteteve lokale që ata me vendos a me shku ‘online’ apo jo, se unë jam shumë i vetëdijshëm për shëndetin mendor të fëmijëve në të gjitha nivelet shkollore, jam shumë i vetëdijshëm se nëse ne i mbyllim shkollat ekonomia ka më pësuar jashtëzakonisht shumë, se prindërit nuk do të mund të shkojnë në punë, duhet të kujdesen për fëmijët, kjo është diçka që edhe ministria e Shëndetësisë jemi marr vesh së bashku për këto masa. Prandaj, nëse nesër na keqësohet gjendja absolutisht duhet me i mbyllë shkollat, kur i kanë mbyllur edhe shtetet tjera për një kohë të caktuar jo në pafundësi”, theksoi ministri Latifi.

Pyetje karshi ministri Latifi adresoi edhe deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu e cila u interesua të di më shumë për rishikim të masave anti-COVID.

Me këtë rast, kreu i shëndetësisë iu përgjigj duke thënë se varësisht nga të dhënat që marrin nuk e përjashton mundësinë e rishikimit të masave anti-COVID.

Latifi: Absolutisht do i rishikojmë masat, nuk jam i interesuar t’i mbajmë bizneset mbyllur

“Sa i përket rishikimit të masave natyrisht për çdo të enjte mbahet komiteti për vlerësim të gjendjes së IKSHP dhe të gjitha spitaleve. Ne i marr të dhënat e vlerësojmë situatën prapë dhe natyrisht që kemi me i rishikuar, kjo është fluide dhe shumë dinamike. Ne e vlerësojmë gjendjen dy-tri herë në ditë katër herë në ditë, prandaj absolutisht kemi me i rishikuar këto masa unë jam i interesuar për asnjë sekondë me i mbajtur bizneset mbyllur, palestrat mbyllur për asnjë sekondë përveç asaj që ekspertët tanë e konsiderojnë të domosdoshme”, theksoi ai.

Në këtë takim në dispozicion ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, kishte kohë vetëm 1 orë pasi kishte agjendë tjetër, gjë që i revoltoi deputetët nga partitë opozitare, PDK dhe LDK, të cilët dolën nga mbledhja ku po vazhdonte të raportonte tutje drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.

E pas kësaj reagoi kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku e cila pati një përplasje me ish-minsitrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Kollçaku: Nuk po mundesh të largohesh nga petku i ministrit, Zemaj: Këta janë vartësitë e ministrisë është shkelje ligjore me raportuar në Komision

“Ish ministri po largohet bashkë me ministrin aktual sepse nuk po mund të largohet nga petku i minsitrit…”

Zemaj: Nuk po mundem me e dëgjua pafuqinë tënde edhe të kësaj mazhorance, këta janë vartësit e ministrisë, është shkelje e ligjit me raportu në Komision…
Kollçaku: A është shkelje, vazhdo ti unë po dua me vazhdua…
Zemaj: Është shkelje me politikën, këta janë shërbyes civil.

Madje Kollçaku tha se opozita po bëhet kinse po shqetësohet për situatën pandemike, por po e lëshojnë takimin pasi përfunduan duke folur politikisht.

Kollçaku: Deputetët kinse të shqetësuar për COVID kanë thirrur debat politik

“Duke e parë se si sillen deputët në institucionin më të lartë vendimmarrës karshi profesionistëve në rend të parë kinse të shqetësuar për situatën me COVID se edhe kanë thirrë debat politik jo kështu, drejtorin e ka përballë që menaxhon të gjitha spitalet regjonale dhe QKUK se si është a ka terapi, a ka oksigjenoterapi, si është numri, si është gjendja e pacientëve, a është më e rënduar apo e lehtë, nuk i intereson, dalin e lëshojnë takimin se iu përfundoi ajo me fol politikisht e jo me fol në aspektin shëndetësor dhe ajo që shqetëson qytetarët kjo është për keqardhje”, u shpreh Kollçaku.

E përkundër kësaj drejtori i ShKSUK-së, Valbon Krasniqi vazhdoi me raportimin e tij para deputetëve kryesisht të pozitës. Ai tha se shumica nga barnat e listës esenciale janë siguruar.

Krasniqi: Kemi arritur të sigurojmë barna në sasi të konsiderueshme

“Kemi arritur të sigurojmë barna në sasi të konsiderueshme dhe në pjesën më të madhe shumicën nga to është e vërtetë dhe jemi të vetëdijshëm që në periudha të ndryshme në afate të caktuara kohore kemi pasur mungesa të herë pas hershme ato mungesa janë kompensuar qoftë me donacione apo institucionet tjera që na kanë ndihmuar”, u shpreh ai.

Në mungesë të drejtorit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani i cili u bë e ditur që është infektuar me COVID-19, e pranishme në Komision ishte doktoresha, Ariana Kalaveshi e cila ka siguruar qytetarët e Kosovës se nuk ka fshehje të rasteve të infektuara.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *