Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se njësia B2 e termocentralit “Kosova B” është ndalur nga puna në orët e para të mëngjesit të sotëm,
KEK-u bën të ditur se kjo ka ndodhur për shkak të rrjedhjeve të konsiderueshme të ujit.
“Ekipet tona të mirëmbajtjes dhe ekspertëve teknikë janë në gatishmëri të plotë për të filluar procesin e sanimit të gypave të dëmtuar. Bazuar në vlerësimet paraprake, pritet që ky proces të zgjasë rreth 48 orë.
Në ndërkohë, KEK-u ka arritur të sigurojë rreth 5,000 MWh energji elektrike nga burime të jashtme, që përfaqëson afërsisht 90% të kapacitetit të planifikuar të prodhimit të njësisë B2”, thuhet në njoftim.
Hera e fundit kur kjo njësi ka pasur një rrjedhje të tillë ishte më 4 dhjetor të vitit që lëmë pas.
KEK-u thotë se ndalja e këtij blloku ishte i domosdoshëm, për të parandaluar ndonjë defekt me pasoja më të mëdha.
Kujtojmë se mbrëmë u ndal nga puna njësia A3 e termocentralit “Kosova A”, pikërisht për shkak të problemeve të ndjeshme me humbje të ujit.