Sht. Nën 23rd, 2024

PDK: Barrikadat duhet të hiqen, marrëveshja finale të rezultojë me njohje të ndërsjellë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ftuar sot në një mbledhje të përbashkët Kryesinë dhe Grupin Parlamentar të PDK-së për të diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.

Me theks të veçantë, në këtë mbledhje u diskutua për gjendjen në pjesën veriore të vendit, vendosjen e barrikadave, nevojën e veprimeve të përgjegjshme dhe konkrete të Qeverisë, si dhe domosdoshmërinë e partneritetit me aleatët ndërkombëtarë.

Kryetari Krasniqi ka njoftuar Kryesinë dhe Grupin Parlamentar edhe për takimin që kishte sot me Zëvendësndihmësin e Sekretarit të Shtetit, që është edhe i Dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kryetari Krasniqi ka ripërsëritur qëndrimin konsistent të PDK-së dhe pesë pikat që duhet të jenë shtyllat kryesore për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë, e që janë: 1. Ruajtja e karakterit unitar të shtetit tonë sipas rregullimit aktual kushtetues, 2. Njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, 3. Nisjen e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në partneritetin për paqe si hap i parë, 4. Marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe 5. Njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në lidhje me situatën në pjesën veriore të Kosovës, në këtë takim u konstatua se vendosja e barrikadave nga bandat kriminale, të orkestruara nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe thirrjet e tij luftënxitëse, janë alarm për qytetarët, shtetin e Kosovës, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare.

PDK fton Bashkësinë ndërkombëtare që në mënyrë të prerë jo vetëm ta dënojë propagandën e Presidentit dhe shtetit serb, por të marrë hapa konkret që Serbinë ta shkëpusë nga këto tendenca dhe iluzione pushtuese. Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i paprekshëm. Nuk mundet dhe nuk do të ketë krijim të një realiteti të ri në pjesën veriore të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se normalizimi i kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme të krijuar në pjesën veriore të Kosovës nuk mund të tolerohet. Barrikadat nuk guxojnë të kthehen në përditshmëri të re. Heshtja, injorimi dhe qëndrimi në vend nuk duhet të jetë zgjidhje për Qeverinë. Kompromiset e mëtutjeshme, jo e jo.

PDK vlerëson lartë rolin dhe kontributin e KFOR-it dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë, por, megjithatë, në situatën aktuale, reagimi institucional shtetëror, konform ligjeve dhe kushtetutës tonë, është i pazëvendësueshëm.

Sikur gjithmonë, por posaçërisht sot, të gjithë jemi me Policinë e Republikës së Kosovës. Kurajo dhe angazhimi që ata kanë treguar së fundmi është tregues i qartë se ne kemi zyrtarë të gatshëm për të garantuar funksionimin e shtetit ligjor në tërë territorin tonë. Gjithçka që duhet është mbështetja e parezervë e Qeverisë së Kosovës ndaj tyre. Mosplotësimi i tërësishëm i nevojave dhe kërkesave të Policisë së Kosovës deri më tani është shqetësues. Urgjentisht dhe pa vonesa Qeveria duhet të siguroj gjithçka që duhet, që policët tanë të kenë kushtet e nevojshme për të zbatuar rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Kosovës.

Ushtrimi i sovranitetit dhe i shtetit ligjor, si dhe funksionimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit kërkon veprim të menjëhershëm dhe konsistent institucional. Barrikadat duhet të hiqen pa asnjë vonesë. Në këtë pikë, nuk duhet të ketë zmbrapsje. Koha është për reagim shtetëror! Koha është për rikthim të normalitetit dhe garantim të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë pjesë të shtetit tonë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *