Sht. Nën 23rd, 2024

PDK do ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarë Publikë, Krasniqi: Po synohet nënshtrimi i administratës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas miratimit të Ligjit për Zyrtarë Publikë në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se përmes tij “misioni i ri i kësaj Qeverie është largimi masiv nga puna i zyrtarëve publikë, shantazhimi, politizimi dhe nënshtrimi i tyre. E gjithë kjo, duke shkelur të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

“Keqqeverisja, punësimet partiake, skandalet në shëndetësi, dështimet në ekonomi dhe energji, ikja e të rinjve nga vendi, rrezikimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit – në vetëm dy vjet qeverisje – nuk po i mjaftojnë Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi thotë se Ligji për Zyrtarët Publikë parasheh ndërprerjen e kontratave të punës për rreth 1600 zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të lartë drejtues dhe ripërcaktimin e këtyre pozitave me mandat 4 vjeçar.

“Përtej shkeljeve të të gjitha normave vendore, ky Ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike”.

Krasniqi thotë se me këtë ligj, Qeveria e ka një qëllim.

“Si përfundim, ky ligj ka vetëm një qëllim: duke shkelur mbi djersën dhe kontributin e zyrtarëve të ndershëm publikë, Qeveria Kurti synon të shkatërrojë gjithçka që është arritur deri më sot dhe t’i hapë rrugë punësimit masiv të militantëve partiakë, si metodë për të vënë shtetin nën kontrollin e Lëvizjes Vetëvendosje”.

Ai tha se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe thotë se e presin rrëzimin e tij.

“Gjithsesi, përballë këtyre tendencave kundërkushtetuese, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të qëndrojë duarkryq. Ne do ta kundërshtojmë dhe do ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetuese, ku, duke besuar në drejtësi, presim rrëzimin e padiskutueshëm të tij”

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *