Muhamet Kallaba është kandidati që do të futet në garë për Kryetar të Komunës së Kamenicës.
Kallaba është zyrtarizuar nga Partia Demokratike e Kosovës, derisa lajmin e ka njoftuar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i cili tha se Kallaba është kandidati më i përgatitur për ta udhëhequr Kamenicën.
“Kënaqësi e jashtëzakonshme që këtë vikend ta kalojë në Kamenicë, bashkë me kandidatin e PDK-së për kryetar të ardhshëm, Muhamet Kallaba dhe me kolegët e Degës. Muhamet Kallaba është kandidati më i përgatitur për ta udhëhequr Kamenicën drejt zhvillimit e transformimit”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Tutje kryetari i PDK-së tha se Kamenica ka potencial të jashtëzakonshëm intelektual, ka diasporën e madhe dhe reliev të mrekullueshëm ë cilat i sheh si mundësi të mirë për t’u organizuar drejt zhvillimit ekonomik, ndërsa kërkoi mbështetjen e kamenicasëve për Kallaba-n.
“Më 17 tetor, Muhamet Kallaba me mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Komunës së Kamenicës pa dallim, do të nisë një etapë të re të zhvillimit të kësaj komune”, shkroi kryetari i PDK-së.