Sht. Nën 23rd, 2024

PDK miraton deklaratë politike: Vendos për mobilizim të strukturave për zgjedhjet e reja parlamentare

Me ftesë të kryetarit Memli Krasniqi, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit Drejtues, ku është marrë vendimi për mobilizimin e të gjitha strukturave për zgjedhjet nacionale.

Kryetari Krasniqi ka thënë së prioritet i PDK-së është mobilizimi për zgjedhjet e përgjithshme për ta kthyer Kosovën në binarët e zhvillimit.

“Ju ftoj që të shtojmë dinamikën e punës, të rrisim përkushtimin edhe më shumë, për të qenë pranë qytetarëve anë e kënd Kosovës, për të rikthyer besimin e tyre dhe për t’i dhënë vendit, pas zgjedhjeve të ardhshme, bashkërisht me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, një Qeveri të re që e rikthen Kosovën në binarët e zhvillimit, integrimit dhe perspektivës për të gjithë”, shtoi Krasniqi.

Tutje, në vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës, thuhet se mandati i strukturave lokale dhe strukturave tjera të partisë, vazhdohet deri në zgjedhjet të brendshme, të cilat do të mbahen menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve nacionale.

Në këtë mbledhje, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi theksoi se viti 2023 ishte vit i humbur për Kosovën në çdo aspekt, dhe e keqja më e madhe që Qeveria Kurti ia ka sjellë vendit është pranimi i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që përmban kompetenca të qarta ekzekutive.

“Rrjedhimisht, Partia Demokratike e Kosovës nuk mund ta mbështesë një propozim të tillë, që vjen si pasojë e gabimeve dhe paaftësisë së Kryeministrit dhe Qeverisë për të arritur qëllimet tona shtetërore në procesin e Dialogut. Ky proces nuk ka arritur që të prodhoj rezultate pozitive për Kosovën gjatë viteve të fundit dhe është karakterizuar me humbje të ambicies edhe nga partnerët ndërkombëtarë, gjë që ka rezultuar me Marrëveshjen e Ohrit që nuk adreson as për së afërmi kërkesat dhe qëllimet tona të përbashkëta. Në këtë kontekst, Partia Demokratike e Kosovës angazhohet për resetim të procesit të Dialogut dhe beson se vetëm një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme dhe e garantuar ndërkombëtarisht, e përqendruar në njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ruan karakterin unitar të shtetit tonë, brenda rregullimit aktual kushtetues, mundëson paqe të qëndrueshme dhe avancim konkret të integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi.

Lidhur me këto diskutime, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka miratuar Deklaratën, e cila përmban 7 pika:

DEKLARATË E KËSHILLIT DREJTUES TË PARTISË DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

1. Shteti i Kosovës, integriteti, sovraniteti dhe siguria e tij po vazhdon të cenohet nga synimet hegjemoniste të Serbisë. Kjo situatë po rëndohet edhe më shumë nga sjellja dhe veprimet e papërgjegjshme të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, si dhe nga paaftësia dhe keqqeverisja e ministrave të qeverisë së tij. Ekonomia, shëndetësia, arsimi, drejtësia dhe të gjithë sektorët tjerë janë në regres të vazhdueshëm dhe po dëmtohen çdo ditë. Kostoja e jetesës për qytetarët e Kosovës është bërë e papërballueshme, çka po shërben si arsye për rritjen enorme të numrit të tyre që po largohen nga Kosova. Kosova nën sanksione, vazhdon t’i ketë raportet e tensionuara me partnerët ndërkombëtarë, si pasojë e keqqeverisjes dhe papërgjegjësisë së Qeverisë. Rruga për anëtarësim në BE, në NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare, me këtë Qeveri dhe këta zyrtarë, është e pamundur.

2. Përmes veprimeve të papërgjegjshme dhe të rrezikshme, kryeministri ka braktisur besimin dhe interesin e qytetarëve. Qytetarët e Kosovës mbeten mirënjohës ndaj SHBA-së, BE-së, Shqipërisë dhe partnerëve të tjerë. PDK beson që e vetmja mënyrë për të shpëtuar Kosovën dhe të arriturat historike me shumë mund dhe sakrificë, është mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, sa më parë, si dhe formimi i një qeverie të re që do të kthejë Kosovën në rrugën e drejtë të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik.

3. Në seancat e Kuvendit të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës do të votojë vetëm për vendimet me rëndësi strategjike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Këto vendime do të vlerësohen rast pas rasti dhe do të përcaktohen nga Kryetari dhe Grupi Parlamentar i PDK-së. PDK do të marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës për të ngritur zërin dhe për të folur për rrezikimin që po i bëhet Kosovës nga kjo Qeveri e paaftë dhe e korruptuar edhe sipas raporteve kredibile ndërkombëtare.

4. Partia Demokratike e Kosovës ka analizuar me vëmendje draft-statutin e Asociacionit, të cilin e ka pranuar Kryeministri Kurti. Ky draf-statut krijon një nivel të ri të pushtetit në Kosovë, pasi ka kompetenca të qarta ekzekutive. Për PDK-në, është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, dhe që krijon një nivel të ri të pushtetit në vendin tonë. Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, që prodhuan edhe këtë draft-statut, për PDK-në nuk janë as finale e as gjithëpërfshirëse. Marrëveshja e pranuar nuk përmban njohjen reciproke de-jure, prandaj për PDK-në është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për të përmbyllur konfliktin e ngrirë prej dekadash me Serbinë. PDK angazhohet dhe beson se vetëm një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme dhe e garantuar ndërkombëtarisht, e përqendruar në njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ruan karakterin unitar të shtetit tonë, brenda rregullimit aktual kushtetues, mundëson paqe të qëndrueshme dhe avancim konkret të integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës.

5. Partia Demokratike e Kosovës do të filloj organizimin për zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës, duke mobilizuar tërë potencialin e saj në të gjitha nivelet e organizimit partiak, për t’i sjellë vendit, pas zgjedhjeve të ardhshme, një Qeveri kredibile, të përgjegjshme dhe e cila rikthen vendin në kursin e duhur të zhvillimit, mirëqenies dhe integrimit euro-atlantik. Zgjedhjet e brendshme partiake caktohen të mbahen menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Kosovës. Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës i jep mbështetjen e parezervë Kryetarit, Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe të gjitha strukturave tjera partiake, për të ofruar alternativën më të mirë qeverisëse e cila nxjerr vendin nga pozicioni i rrezikshëm në të cilin ndodhet.

6. Partia Demokratike e Kosovës është e shqetësuar në lidhje me informatat për vështirësitë financiare të ekipit mbrojtës të Presidentit Hashim Thaçi. PDK e kupton se në një situatë të ngjashme janë edhe ekipet mbrojtëse të të gjithë çlirimtarëve tanë në Hagë, të cilët po mbrojnë luftën e drejtë të popullit tonë për liri. Për PDK-në, mbrojtja e të gjithë çlirimtarëve tanë në Hagë, pa dallim, nuk është çështje e interesit politik, por obligim ligjor, shtetëror dhe shoqëror. Prandaj, PDK kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës që të luajnë një rol më proaktiv dhe gjithëpërfshirës, për të garantuar një mbrojtje të drejtë dhe efikase për të gjithë çlirimtarët tanë. PDK, po ashtu, fton të gjithë anëtarësinë dhe mbështetësit e saj që të kontribuojnë, sipas mundësive të tyre, në fondet për mbrojtjen juridike të të gjithë çlirimtarëve të Kosovës të cilët janë në Hagë.

7. PDK do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet e ardhshme me vëmendje të plotë dhe karshi këtyre zhvillimeve, do të shfrytëzojë të gjitha mjetet demokratike në dispozicion që të ruaj interesin e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *