Die. Nën 24th, 2024

PDK: Statuti i Asociacionit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot takime të ndara me Kryesinë e partisë, me deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së dhe me kryetarët e degëve, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.

Kryetari Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e transparencës nga ana e Kryeministrit Kurti në raport me procesin e dialogut, përkatësisht me draft-statutin e Asociacionit, për të cilin nuk ka ndarë akoma asnjë detaj me deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe me qytetarët.

Ai tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të njoftohen zyrtarisht nga kryeministri i Kosovës për përmbajtjen e dokumentit që e ka pranuar, si dhe duhet ta dinë se deri në çfarë mase drafti i statutit të Asociacionit do ta ndryshojë rregullimin e brendshëm dhe karakterin unitar të shtetit tonë.

Kryetari Krasniqi ka ripërsëritur qëndrimin se për PDK-në është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me idealet themeluese të Republikës së Kosovës.

Gjatë këtyre takimeve u tha se regresi ekonomik, sanksionet ndërkombëtare dhe përkeqësimi i mirëqenies së qytetarëve janë vetëm disa nga pasojat, krahas dështimit në dialog, të cilat vijnë si rezultat i keqqeverisjes, arrogancës dhe aferave të vazhdueshme korruptive të zyrtarëve qeveritarë.

Kryetari Memli Krasniqi i ka njoftuar zyrtarët e PDK-së edhe për takimin me të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak javën e kaluar, të cilët i njoftoi se i ka kërkuar atij që Bashkimi Evropian të heqë sa më parë sanksionet e padrejta ndaj Republikës së Kosovës.

Kreu i PDK-së ka thënë se në takimet e këtyre ditëve, ka shprehur qëndrimin konsistent se statuti i Asociacionit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, të mos krijojë një nivel të ri të pushtetit dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *