Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fatmir Humolli ka përfunduar dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë ku është dëgjuar në rastin ndaj Salih Mustafës. Humolli ishte dëshmitari i fundit i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe me këtë pritet që kjo zyrë të mbyll çështjen e saj. Kjo i hap rrugë mbajtjes së konferencës përgatitore për mbrojtjen e cila do të mbahet më 17 shkurt.
Trupi gjykues ka dëgjuar për dy ditë me radhë dëshminë e Fatmir Humollit i cili është edhe deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.
Humolli është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë, mbrojtjes së Salih Msutafës dhe të trupit gjykues të cilët kanë shtruar pyetje rreth ngjarjeve të prillit të vitit 1999, njohjes së tij me Salih Mustafën dhe për kundërshtimin që Humolli ka për Gjykatën Speciale.
Humolli ndër të tjera ka thënë se nuk ka parë apo dëgjuar që Salih Mustafa të ketë mbajtur apo keqtrajtuar njerëz në Zllash apo ndonjë vend tjetër.
Ai ka thënë se beson që Mustafa është i pafajshëm ndërsa ka deklaruar se asnjë ushtri në botë nuk ka bërë luftë të pastër si Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Gjithashtu, deputeti Humolli ka thënë është përpjekur të shfuqizojë Gjykatën Speciale por sipas tij nuk ka pasur mbështetje të mjaftueshme.
Në fund të seancës, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka bërë të ditur se seanca e radhës në gjykimin ndaj Salih Mustafës është caktuar më 17 shkurt ku do të mbahet konferenca përgatitore për mbrojtjen dhe konferenca përgatitore mbi pjesëmarrjen e viktimave.
“Ky ishte dëshmitari i fundit i ZPS-së, për këtë arsye ZPS mund të mbyll paraqitjen e provave të veta në përputhje me rregullën 129 të rregullores, trupi gjykues dëshiron të kujtoj palët dhe mbrojtësen e viktimave për afatet që përcaktohen në paragrafin 21A deri në paragrafin G të vendimit të dytë të procedurave, për më tepër trupi gjykues dëshiron të u kujtoj që ka vendosur të mbajë konferencën përgatitore për mbartjen së bashku me konferencën për ecurinë e çështjes më 17 shkurt 2022, që fillon në orën 9:30 edhe një ditë shtesë për datën 18 shkurt po ashtu në orën 9:30”, ka thënë kryetarja e turpit gjykues.
Në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës janë dëgjuar dhjetë dëshmitarë mbrojtur të ZPS-së, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.
Pas tyre, ZPS ka paraqitur në sallën e gjyqit edhe tre dëshmitarë të tjerë të cilët janë dëgjuar në seanca të hapura, Fatmir Sopi, Sejdi Veseli dhe Fatmir Humolli, ish bashkëluftëtar të Salih Mustafës.
Pas përfundimit të paraqitjes së provave nga ana e ZPS-së pritet që mbrojtja e Salih Mustafës të fillojë me çështjen e saj.
Gjykimi ndaj Mustafës ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.