Dëshmitari i shtatë i mbrojtjes së Salih Mustafës, Nazmi Verbovci ka përfunduar sot dëshminë e tij para trupit gjykues.
Ai ka thënë se deklarata e tij në gjykatore rreth takimit me Salih Mustafën në fillim dhe fund të muajit prill 1999 është e vërtetë.
Sipas tij, Mustafa kishte kaluar nga shtëpia e tij në Barilevë më 1 prill, ndërsa është kthyer më datën 2 të atij muaji dhe ka qëndruar disa orë në lagjen Verbovci.
Dëshmitari ka thënë se në shtëpinë e tij Mustafa kishte shkuar nga Vranidolli.
Në pjesën e dytë të seancës Verbovci është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë.
“1 prill ka qenë që ka ardhur prej Vranidollit në shtëpinë time. Po, e vërtetë është me dy persona ka qenë, vetë i treti… Është 1 prill kur ka kaluar, ka ardhur nga shtëpia ime, ka vazhduar më tutje, ku ka shkuar nuk e di, është kthyer më 2 prill. Qëndroj prapa kësaj, goxha i vendosur jam, nuk e ndërroj hiç. Unë e marr përgjegjësinë nëse kam gabuar diçka, por nuk kam gabuar”, ka thënë dëshmitari.
Verbovci ka deklaruar se nuk i ka njohur dy personat e tjerë me të cilët ka qenë Mustafa.
“Salih Mustafa ka qenë i njohur për neve, është një veprimtar i çështjes kombëtare dhe ne adhurojmë këta njerëz që janë për çështje kombëtare. Ka qenë i burgosur, unë e kam njohur. Ky mua nuk ka mund të më njohë, unë e kam adhuruar këtë njëri”, ka thënë Verbovci.
Seanca tutje është zhvilluar me pyetjet e prokurorit rreth datave 1 dhe 2 prill për çka dëshmitari ka pasur kritika për prokurorinë që siç ka thënë ai po i ndryshojnë deklaratat e tij.
“Ndonjë datë nuk ka qenë shumë e rëndësishme, nuk ka pasur ndonjë ngjarje që duhet ta mbash mend, disa po, çka e të flas sot jam i sigurt, kam dhënë betimin dhe do të qëndroj çka e flas unë e marr përgjegjësinë nëse gaboj. Nëse gaboj lironi zotërinë unë do të rri në vend të tij… Jam me emocione, të lutem, tash pyet, se ma ndërrove deklaratën dhe nuk është e vërtetë ajo çka the ti, dhe u vërtetua më duket”, ka thënë ai.
Gjatë pjesës së parë të seancës, dëshmitari kishte deklaruar se ishte pjesë e Brigadës 151 ndërsa në transkript ishte regjistruar Brigada 153 dhe kjo ka bërë që Verbovci edhe njëherë të jep vërejtjet e tij për ndërrim të deklaratës.
“Brigada 151, dhe mos i lëviz gjërat se nuk jam në gjendje të të përgjigjem çka do ti. Gjërat e vërteta qiti, jo të vërteta mund ta mbyll gojën edhe hiç mos të të flas më dhe të mos përgjigjem, qe dy herë ma bën këtë… E ceka edhe më herët, 151 brigada “Zahir Pajaziti”, dhe nuk më luan këtu, nëse provokoni ju 53-shi se ka diferencë, ju për një datë po më mbani që dy orë në pyetje”, ka thënë dëshmitari.
Ndër të tjera, dëshmitari ka konfirmuar që gëzon statusin e veteranit të UÇK-së në të cilin thuhet se ishte pjesë e njësisë BIA.
Ndërsa në pyetjen e prokurorit se cili ishte roli i Salih Mustafës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari ka thënë se për këtë duhet të pyetet vetë ai.
“Pyete Salihun, u tregon ai. Unë nuk e di çfarë roli ka pasur, unë vetëm e njoh si aktivist, një veprimtar i shquar, i burgosur politik, kam nderin që e shoh me sy tash”, ka thënë Verbovci.
Dëshmitari ka thënë se pas luftës me Salih Mustafën nuk ka pasur asnjëherë ndonjë lidhje të afërt.
“Me Salih Mustafën nuk kam pasur ndonjë marrëdhënie kurrë, e kam nderuar që ka qenë qysh ka qenë veprimtaria e tij, e nderoj prapë, kontakte, biseda nuk kam pasur kurrë. Në shoqëri kemi biseduar, jemi përshëndetur, më tepër kurrë, asnjë fjalë nuk e kam pasur”, ka thënë ai.
Gjatë dëshmisë para Dhomave të specializuara në Hagë, Verbovci ka deklaruar se është takuar dy herë me Salih Mustafën në shtëpinë e tij në Barilevë. Sipas tij, takimi i parë ka qenë në fillim të muajit prill, ndërsa i dyti rreth datave 21 dhe 22 prill 1999.
Gjykimi ndaj Salih Mustafës do të vazhdojë të hënën më 11 prill. Mustafa është arrestuar më 24 shtator 2020 me pretendimin për krime lufte. Ai po qëndron në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.