Sht. Nën 23rd, 2024

Përfundon seanca në Hagë, dëshmitarja e parë e ZPS-së do të dëgjohet edhe nesër

Dëshmitarja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë se është përfshirë në kontrollin e çështjes nga 25 shtatori 2020.

Deri në këtë periudhë, ajo ka thënë se nuk e di se kush ka qenë hetuesi që është marrë me çështjen OVL-UÇK.

Dëshmitarja Zenka Pumper, koordinatore e hetimeve në ZPS, ka thënë se nuk është në dijeni nëse është zhvilluar hetim në terren më 7 shtator 2020, ditën e parë kur në OVL-UÇK kishin arritur disa pako me dokumente.

Në pjesën e fundit të seancës në Dhomat e Specializuara në Hagë, dëshmitarja Pumper i është përgjigjur pyetjeve të avokatit të Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees.

Avokati Rees: A e dini se kush përgjigjej në teren nga data 7 shtator, si hetues gjithmonë flas për të filluar hetimin në atë që ka ndodhur atë ditë, 7 shtator dita e parë, kur ZPS pretendon se mori dijeni për dokumentet që kanë arritur në OVL-UÇK, që ishte në fakt edhe tema e konferencës së shtypit që u mbajt atë ditë?

Dëshmitarja Pumper: Nuk kam njohuri nëse është zhvilluar një hetim në teren në atë ditë.

Avokati Rees: A mund t’i kontrolloni dokumentet gjatë natës që të na ndihmoni në këtë pikë nesër në mëngjes?

Prokurorja Bolici: Kundërshtoj për këto pyetje, hetueses nuk mund t’i kërkohet të kontrolloj dokumentet që nuk i ka në posedimin e saj.

Avokati Rees: A mund t’i kontrolli këto dokumente që të na ndihmoni në pyetje nesër në mëngjes?

Dëshmitarja Pumper: Të nderuar gjykatës, unë nuk besoj që ka dokumente që unë mund t’i kontrolloj për të parë nëse është zhvilluar ndonjë hetim në terren në atë kohë.

Në këtë seancë është bërë e ditur se dëshmitarja Zenka Pumper ka punuar për EULEX-in nga 2009 për pesë vjet ku në një periudhë e ka pasur qendrën në Prishtinë.

Zenka Pumper, hetuese në ZPS, ka filluar dëshminë e saj në gjykimin ndaj ish-krerëve të OVL-UCK më 18 tetor 2021.

Dëgjimi i saj do të vazhdojë edhe nesër me pyetjet e avokatëve mbrojtës. Zenka Pumper është dëshmitari i parë në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *