Policia e Kosovës po vazhdon me intensitet hetimet për zbardhjen e plotë të rastit të vrasjes së Naser Gashit dhe plagosjes së Miftar Miftarit.
Ndonëse të dyshuarit ndodhen ende në arrati, hetuesit kanë arritur të gjenin dhe sekuestruar armët që dyshohet se janë përdorur në këtë krim, transmeton IndeksOnline.
Sipas burimeve zyrtare, armët janë zbuluar të fshehura në magjistralen Prishtinë-Mutivodë. Pas informacioneve të siguruara nga hetuesit, njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, në koordinim me prokurorinë e shtetit, kanë dalë në terren dhe kanë sekuestruar tri armë zjarri: një AK-47, një TT dhe një Colt.
Në raportin e saj, policia konfirmon se rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje”. Hetimet po vazhdojnë intensivisht për të identifikuar dhe arrestuar personat e dyshuar, si dhe për të ndriçuar të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Policia e Kosovës apelon te qytetarët që mund të kenë informacione lidhur me vendndodhjen e të dyshuarve, të bashkëpunojnë me organet e rendit për të sjellë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre./