Pre. Nën 22nd, 2024

Policia ndërhyn për të shpërndarë protestuesit pro palestinezë në Universitetin e Kalifornisë

Policia në Los Angelos ka filluar ndërhyrjen për të shpërndarë protestuesit pro palestinezë brenda Universitetit të Kalifornisë. Në fillim operacioni policor hasi në kundërshtimet e protestuesve, por pas heqjes së barrikadave, studentët duket se nuk po u rezistojnë përpjekjeve të policisë për t’i arrestuar. Operacioni policor po vazhdon edhe në këto momente.

Ndërkohë në Nju Jork, pas ndërhyrjes së djeshme, policia po vazhdon të qëndrojë brenda hapësirave të Universitetit ‘Columbia’ për të mos lejuar rikthimin e protestuesve pro palestinezë.

Policia u përlesh me protestuesit pro-palestinezë në Universitetin e Kalifornisë të enjten në mëngjes ndërsa bënte përpjekje për të depërtuar përtej një barrikade brenda hapësirës së universitetit.

Ndërhyrja e policisë para agimit në Los Angelos shënoi rastin e fundit të tensioneve në universitetet amerikane. Protestat pro palestineze filluan për të kundërshtuar luftën e Izraelit në Gazë ndërsa kërkojnë nga udhëheqja e universiteteve që të shkëpusin çdo bashkëpunim me shtetin e Izraelit dhe me kompanitë që kanë lidhje me Izraelin.

Pas tensioneve në fillim të ndërhyrjes, operacioni po vazhdon me qetë pasi protestuesit duket se nuk po u rezistojnë më përpjekjeve të policisë për t’i arrestuar.

Në anën tjetër të vendit, në Nju Jork, situata është tërësisht ndryshe nga një natë më parë. Oborri i Universitetit ‘Columbia’ është i zbrazët pa asnjë shenjë të protestuesve pro palestinezë.

Ndërhyrja e një nate më parë e policisë së Nju Jorkut u bë me kërkesën e Presidentes të Universitetit ‘Columbia’, Minouche Shafik.

Në një deklaratë, ajo tha: “Kjo kthesë e ngjarjeve më ka mbushur me trishtim të thellë. Më vjen keq që arritëm në këtë pikë.”

109 protestues u arrestuan dhe përballen me akuza, duke përfshirë shkelje të ligjit, keqbërje kriminale dhe vjedhje. 173 studentë të tjerë protestues u arrestuan po atë natë në ‘City College’ në Nju Jork.

Në ‘Columbia’, reagimet e studentëve janë të ndryshme.

“Më zhgënjen të shoh policinë duke arrestuar shokët e mi. Ata po protestojnë dhe flasin për atë që besojnë”, thotë një student në “Columbia” që nuk pranoi të identifikohej.

Në një konferencë për shtyp, kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Eric Adams tha se protesta nuk ishte paqësore.

“Nuk ka asgjë paqësore në bllokimin e ndërtesave, shkatërrimin e pronës apo heqjen e kamerave të sigurisë. Nuk mund të lejojmë kthimin e protestave të ligjshme në një spektakël të dhunshëm që nuk shërben për asgjë”, thotë zoti Adams.

Disa studentë ankohen se reagimi i policisë ishte shumë i dhunshëm.

“Më vjen turp nga ajo që universiteti ka zgjedhur t’u bëjë studentëve dhe veprimet që ka ndërmarrë … është traumatizuese për të gjithë”, thotë Masha Sokolova, studente në këtë universitet.

Të tjerë mbështesin vendimin për të sjellë policinë dhe çuditen pse nuk është reaguar me kohë për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

“Mendoj se gabimi i madh u bë pas arrestimit të parë para një jave pasi autoritetet nuk bënë asnjë përpjekje për të ndaluar ndërtimin e një kampi tjetër. Nëse do të kishin përdorur forcën e duhur policore për të ndaluar ndërtimin e një kampi të dytë, atëherë ne nuk do të ishim në këtë gjendje”, thotë Lily Zuckerman, studente në fakultetin ‘Barnard’.

Studentët hebrenj si Ben Solomon thonë se ngjarjet e fundit janë shqetësuese.

“Është një mjedis shumë armiqësor për studentët hebrenj. Nuk jam sulmuar personalisht, por kam folur me miqtë e mi, të cilët janë pështyrë, të cilët janë detyruar të ikin, studentë që po mendojnë të transferohen diku tjetër”, thotë studenti Ben Solomon.

Presidentja e këtij universiteti Minoushe Shafik i ka kërkuar policisë të qëndrojë në universitet deri më 17 maj.

Mbetët për t’u parë nëse ky vendim do të rivendosë qetësinë apo do të ndezë më shumë trazira.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *