Hën. Mar 31st, 2025

Presidenti sllovak: Begaj më kërkoi njohjen e Kosovës, pozicioni negativ s’lidhet me raportin që kemi me Shqipërinë

Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini, sot ka vizituar Tiranën, ku është pritur nga presidenti shqiptar, Bajram Begaj.

Në një konferencë për media, Pellegrini ka folur edhe për qëndrimin e shtetit të tij ndaj pavarësisë së Kosovës, ku ai u shpreh se qëndrimi mosnjohës i Sllovakisë ndaj Kosovës, s’lidhet fare me raportin që shteti i tij ka me Shqipërinë.

“Nuk do i shmangem pyetjeve për Kosovën, ne i kemi diskutuar këto me Presidentin Begaj, unë kam përfaqësuar pozicionin e Sllovakisë për këtë në përgjithësi të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Kjo është në bazë të një vendimi, nuk ka të bëjë fare me popullin e Shqipërisë, me kombin shqiptar, për ne kombi shqiptar është një komb mik, dhe kjo nuk ka të bëjë fare me qëndrimin tonë negativ kundrejt Kosovës”, ka deklaruar Pellegrini

Në lidhje me Kosovën, Presidenti Begaj i ka shprehur homologut të tij mirënjohje që Sllovakia ka njohur pasaportat, ndërsa u shpreh se “Shqipëria shpreson në mbështetjen e Sllovakisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe për mundësinë e rishikimit të qëndrimit lidhur me Republikën e Kosovës”.

“Pozicioni i Shqipërisë mbetet i pandryshuar, mbështetës i palëkundur i Kosovës, sepse Kosova është pjesë e stabilitetit dhe kontribuuese e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe patjetër që ne do të jemi mbështetësit e saj për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare, në organizatat ndërkombëtare dhe në punën tonë për të bërë të mundur sa më shumë njohje të reja për Kosovën dhe patjetër për të biseduar edhe me vende të tjera qe nuk e njohin Kosovën për të shikuar alternativa, siç është rasti i Sllovakisë me njohjen e dokumentit të udhëtimit apo me pasaportën që njihet si dokument”-u shpreh Begaj.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *