Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në samitin inaugurues të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Pragë, iu është bashkuar 44 liderëve në kontinentit evropian për të diskutuar nxitjen e dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.
Gjatë samitit, Presidentja Osmani ka ritheksuar orientinim strategjik të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik si garanca më e mirë për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë. Para liderëve evropianë, Presidentja Osmani ka kërkuar përkrahjen për këtë proces.
Në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë, Presidentja Osmani ka përmendur solidaritetin e popullit dhe institucioneve të Kosovës me popullin e Ukrainës, duke theksuar se populli jonë i kupton më së miri vuajtjet e tyre nga agresioni rus.
Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka potencuar se shtetet evropiane duhet të qëndrojnë të bashkuara në qëndrime dhe veprime kundër synimeve hegjemoniste dhe destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve saj në Evropë dhe në rajonin tonë në veçanti. Ky unitet duhet të tregohet përmes bashkëpunimit për çështje të sigurisë, ekonomisë, energjisë, luftimit të propagandës dhe sulmeve kibernetike, ka thënë Presidentja Osmani.
Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, Presidentja Osmani po zhvillon takime bilaterale me liderë evropianë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta.
Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidenti francez, Emmanuel Macron dhe në të cilën janë bashkuar liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe liderët e 17 vendeve të tjera evropiane.
Kjo nismë synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian./