Sht. Nën 23rd, 2024

Projektligj i veçantë për Institutin e Krimeve të Luftës, Haxhiu s’e sheh të mundur “zhbërjen” e Speciales

Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga përfundimi i luftës, Kosova ende nuk e ka asnjë institucion për të dokumentuara krimet e kryera, madje institucionet përgjegjëse nuk kanë bërë asgjë.

Kështu po vlerëson ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila në një intervistë për EO tha se tashmë kanë nisur punën sa i përket hartimit të projektligjit për themelimin e institutit ku do të dokumentohen të gjitha krimet që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Sipas saj, Prokuroria i ka duart e lira të veprojë në këtë drejtim për faktin se Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës.

“Kosova ende nuk e ka një institucion që ne mund t’i kemi të dokumentuara krimet e luftës dhe në këtë drejtim nuk është bërë asgjë. Ne kemi pasur një institut për krime të luftës, por ka qenë me vendim pra jo me ligj dhe në të njëjtin ka pasur kapacitete njerëzore për ta bërë dokumentimin e krimeve të luftës. Në këtë drejtim ne kemi nisur punën sa i përket hartimit të Projektligjit për themelimin e Institutit ku do të dokumentohen të gjitha krimet që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë”.

“Është formuar grupi punues pas kalimit të koncept dokumentit në Qeveri për të pasur një pasqyrë të qartë të gjendjes në këtë drejtim. Grupi punues është duke u takuar për të diskutuar për këtë institut. Poashtu kemi shtuar kapacitet për Prokurorinë Speciale të prokurove që do merren me rastet e krimeve të luftës dhe strategjinë për drejtësi tranzicionale si dhe kemi eliminuar të metat që kanë qenë në Kodin e Procedurës Penale për gjykimin në mungesë të kriminelëve serb. Prokuroria i ka duart e lira të veprojë në këtë drejtim për faktin se Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës.Mirëpo me legjislacionin tonë në mungesë mund të dënohen dhe pastaj të vuajnë dënimin për krimet që kanë bërë”.

Ajo shtoi se partia që përfaqëson e ka kundërshtuar fuqishëm themelimin e Gjykatës Speciale, sepse ajo po paraqet një pasqyrë të shtrembëruar për luftën e drejtë në Kosovë.

Megjithatë, Haxhiu theksoi se do të shohin të gjitha alternativat se çka mund të bëjnë sa i përket “zhbërjes” së kësaj gjykate thotë se Kosova i ka dyert e mbyllura me amendamentin e ndryshuar për themelim në Kushtetutë.

“Një nga subjektet kryesore në Kosovë është VV-ja që ka kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale. Pikërisht për faktin se kemi konsideruar se gjykata speciale do të paraqesë një pasqyrë të shtrembëruar për luftën e drejtë në Kosovë. Mirëpo edhe përkundër kundërshtimeve tona edhe në Gjykatën Kushtetuese por nuk kem pasur mundësi ta ndalojmë”.

“Tani na kanë mbyllur derën për çfarëdo veprimi tjetër sepse siç jeni në dijeni Gjykata Speciale është futur në Kushtetutë dhe nuk mund ta heqim edhe Ministria e Drejtësisë i ka dyert e mbyllura çfarëdo aspekti në Gjykatën Speciale përveçse kemi divizionin për mbrojtje juridike dhe financiare të personave që janë në Hagë dhe jemi duke kryer përgjegjësitë tona në raport me mbrojtjen”.

“…do të shohim mundësitë si Qeveri për faktin se kemi pasur një vizitë dhe e kam pasur të pamundur të shkoj dhe ne kemi ankesa të tyre në mungesë të transparencës i kemi adresuar ato te avokati dhe i shohim të njëjtat se a po respektohen apo jo. Do të shohim edhe alternativa të tjera se çka mund të bëjmë në këtë drejtim, mirëpo unë nuk jam shumë optimiste që Kosova ka ndonjë mënyrë sepse na kanë mbyllur dyert me amendamentin në Kushtetutën e Kosovës”.

Haxhiu ka thënë se janë duke punuar në aspektin e draftimit të amendamenteve kushtetuese për çështjen e Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Madje, ajo tha se ka ftuar subjektet politike në takime të ndara që të diskutojnë për vettingut sepse amendamentet mund te votohet veç nëse kanë dy të tretat e deputetëve shqiptar dhe në anën tjetër dy të tretat e komuniteteve që përfaqësojnë qytetarët jo shumicë.

“Në programin qeverisës ne kemi vettingun në sistemin e drejtësisë, poashtu në nivelet e larta të policisë po kjo është përgjegjësi e ministrisë së punëve të brendshme. Në nivelin më të lartë të doganave, ATK, AKI sepse besojmë që janë institucione të ndjeshme dhe poashtu të rëndësishme dhe në këtë drejtim ne jemi duke punuar në aspektin e draftimit të amendamenteve kushtetuese për çështjen e vetingut në sistemin e drejtësisë. Jemi duke pritur edhe një opinion nga Komisioni i Venecias në raportin me koncept dokumentin por teksa anëtarët përgjegjës janë duke trajtuar çështjen e koncept dokumentit ne sapo t’i finalizojmë amendamentet do t’i procedojmë për opinion nga Venecia sepse është e rëndësishme të veprojmë në përputhej me standardet evropiane”.

“Dhe natyrisht na duhet mbështetje nga Kuvendi sepse amendamentet mund te votohet veç nëse kanë dy të tretat e deputetëve shqiptar dhe në anën tjetër dy të tretat e komuniteteve që përfaqësojnë qytetarët jo shumicë. Unë kam ftuar subjektet politike ne takime të ndara, por edhe të përbashkëta sepse konsiderojë që është e rëndësishme që ta kemi konsensusit. Nuk kam pasur mundësi të takohem me opozitën përfshirë këtu edhe grupin parlamentar të Listës Serbe”.

Haxhiu tha se qeveria dëshiron që Kosova të jetë shtet i së drejtës sepse, sipas saj, çfarëdo kritike që i bëhet sistemit të drejtësisë ndodh për shkak të skandaleve dhe me këtë rast krijohet barrikadim dhe akuza të pabaza.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *