Die. Nën 24th, 2024

Prokuroria e Prishtinës e konfirmon arrestimin e Luan Latifit

Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës e kanë konfirmuar arrestimin e kryeshefit ekzekutiv të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Sipas komunikatës për media, Luan Latifi është arrestuar pasi institucionet e rendit dhe ligjit kanë marrë informatë për keqpërdorime dhe marrje të ryshfetit nga zyrtarë të KPM-së.

Me aktvendim të prokurorit të shtetit Latifi është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Ndërkaq, ditë më parë ishte arrestuar edhe i dyshuari tjetër me inicialet A.B për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Komunikatë e përbashkët për media nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion së bashku me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit–Prishtinë, njofton opinionin publik se pas pranimit të informatës për keqpërdorime dhe marrje të ryshfetit nga zyrtarë të KPM-së dhe ndërmarrjes së veprimeve hetimore të nevojshme në konsultim me prokurorin e shtetit, ka ftuar për intervistim edhe të dyshuarin e dytë me iniciale L.L., Kryeshef në KPM.

Personi me inicialet L.L., është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas argumentimit të ndërlidhjes, është vlerësuar dyshimi i bazuar se, si person me përgjegjësi ekzekutive në KPM, ka qenë në dijeni të qartë për kushtëzimet.

Më këto veprime personi i lartcekur dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të KPRK-së në bashkëkryerje me të dyshuarin A.B., të arrestuar më 29.06.2021, nga Policia e Kosovës, dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, pasi të njëjtit dyshohet se nuk kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare me këtë rast duke keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

I dyshuari L.L., me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Po ashtu, ju njoftojmë se ndaj të dyshuarit me inicialet A.B., prokurori i çështjes ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *