Hën. Nën 25th, 2024

Prokuroria heton masakren e Dubravës

Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetime në lidhje me njërën ndër masakrat më të tmerrshme të kryera ndaj shqiptarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë, atë në Dubravë dhe deri më tash është ngritur një aktakuzë dhe janë 40 të pandehur të tjerë.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu në 25-vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës, ka thënë se institucionet e drejtësisë në vend do të angazhohen në maksimum për sjelljen e autorëve të kësaj masakre para drejtësisë.

Haxhiu: Prokuroria Speciale po zhvillon hetime për masakrën në Dubravë

closevolume_off
“Projekti gjenocidial i Serbisë për zhdukjen e shqiptarëve në Kosovë hyri edhe brenda Burgut të Dubravës. Kjo ndërtesë u kthye në kamp të përqendrimit politik me mbi 980 politikanë shqiptarë vetëm për shkak të bindjeve të tyre politike. Deri më tani as drejtësi vendore e aq pak ajo ndërkombëtare nuk kanë arritur t’i dënojë kriminelët që organizuan planin e kësaj masakre. Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procedurën gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviqit, i cili vdiq pa u dënuar. Me lejoni t’ju informoj që në lidhje me masakrën e Dubravës tashmë po zhvillohen hetime nga Prokuroria Speciale dhe në këtë moment janë 40 të pandehur dhe në fund të vitit të kaluar Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër një të dyshuar për pjesëmarrjen në masakrën në Burgun e Dubravës. Nga këtu do të zotohemi që të ketë drejtësi”, ka thënë Haxhiu.

Njëri nga të mbijetuarit e masakrës Njazi Kryeziu thotë se e ka ende të freskët momentet e tmerrit të përjetuar.

Kryeziu: Na kanë rrahur edhe të burgosurit serbë

“Kemi përjetime të rënda dhe momente që nuk do t’i harrojmë kurrë. Ne kemi përjetuar një nga masakrat më të tmerrshme që ka bërë pushteti serb… Është këtu dera kryesore, na kanë pritur policë, paraushtarakë, të burgosur serbë që kanë qenë të veshur, ushtarë dhe na kanë rrahur me një kordon dy krahësh”, ka thënë Kryeziu.

Ish-deputeti Daut Haradinaj masakrën në Dubravë e ka cilësuar ndër më të rëndat nga regjimi serb ndaj popullit shqiptar.

Haradinaj: Shqiptarët të tregohen unikë e të bashkuar

“Të nderuar të mbijetuar që për mua jeni heronj të gjallë të një të vërtete që ka shpërfaq fytyrën kriminale të Millosheviqit. Njerëz u pushkatuar në mënyrën më mizore të mundshme vetëm pse ishin shqiptarë dhe kishin të drejtën e vet të kërkojnë të jetojnë të lirë në vendin e vet. Ne në asnjë rrethanë nuk duhet ta mohojmë dhe ta fshehim të vërtetën e krimeve makabre serbe mbi popullin tonë. Edhe këtu para këtyre heronjve që jemi mbledhur sot për t’i nderuar. Duhet bërë thirrje që në raport me Serbin të jemi unikë, të jemi të bashkuar, të jemi njëzëri sikurse në luftë pasi vetëm ashtu mund t’ia japim hakun edhe këtyre burrave që sot përkujtojmë dhe rreth 13 mijë shqiptarëve që rënë në luftën e fundit”, ka thënë Haradinaj.

I mbijetuari i masakrës së Dubravës Nait Hasani, ka thënë se autorët e krimit të kryer ndaj shqiptarëve të pafajshëm duhet të përballen me drejtësinë.

Hasani: Në këtë masakër mbetën 117 të vrarë e 300 të plagosur

“Kjo masakër e shtetit serb, sa kohë e minuta ka zgjatur as kush s’ka mundur të di, kjo vrasje ka zgjatur gjatë. Ky krim e kjo masakër është ngjarja më e rëndë kriminale në histori që nga Lufta e Dytë Botërore si Aushvic, si kampe përqendrimi dhe ekzekutimi. Në këtë masakër mbetën 117 të vrarë e 300 të plagosur. Kjo vrasje është gjenocid i shteti serb mbi të burgosurit politik shqiptarë, është hakmarrje mbi të burgosurit e UÇK-së dhe vrasje e të burgosurve shqiptarë si shqiptarë. Mendojmë se kjo masakër është krim lufte dhe kryerësit duhet te gjykohen dhe dënohen nga gjykata e Kosovës”, ka thënë Hasani.

Masakra në Burgun e Dubravës është kryer prej datës 19-24 maj 1999. Brenda burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të vrarëve në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve. Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *