Përfaqësuesit e Prokurorisë së Shtetit kanë lëshuar mbledhjen e sotme me përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, e cila mbahet në kuadër të grupit punues të MD-së për reformat e planifikuara në sistemin e drejtësisë.
Përfaqësuesit e sistemit prokurorial kanë kërkuar nga pushteti ekzekutiv, respektivisht nga Ministria e Drejtësisë që të distancohet nga deklaratat e zëvendësministrit, distancim ky, që do t’i hapte rrugë bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë institucional.
“Pas deklarimeve të qëndrimeve dhe mosreagimit nga Ministria e Drejtësisë, përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial, Prokurorit të Shtetit dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës, kanë lëshuar takimin”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.
Komunikatë e plotë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës:
Përkundër bashkëpunimit të deritashëm reciprok në procese të ndryshme me Ministrinë e Drejtësisë, siç janë: rishikimi funksional, procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë dhe shprehjes së vullnetit të mirë të sistemit prokurorial për ta forcuar bashkëpunimin në avancim të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, deklaratat e fundit, të bëra nga Zëvendësministri i Drejtësisë, i cili i ka quajtur prokurorët të involvuar në veprimtari kriminale, e bëjnë të pamundur bashkëpunimin ndërinstitucional.
Andaj, në takimin e sotëm të Grupit punues për ndryshime ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësuesit e sistemit prokurorial kanë kërkuar nga pushteti ekzekutiv, respektivisht nga Ministria e Drejtësisë që të distancohet nga deklaratat e zëvendësministrit, distancim ky, që do t’i hapte rrugë bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë institucional.
Pas deklarimeve të qëndrimeve dhe mosreagimit nga Ministria e Drejtësisë, përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial, Prokurorit të Shtetit dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës, kanë lëshuar takimin.
Më poshtë gjeni qëndrimin e sistemit prokurorial, të paraqitur sot para Grupit punues të Ministrisë së Drejtësisë:
“Të nderuar anëtar të këtij grupi punues,
Të nderuar partnerë ndërkombëtarë,
Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë,
Prezenca jonë si përfaqësues institucional të Këshillit Prokurorial të Kosovës, respektivisht Prokurorit të Shtetit, në këtë takim, është shenjë respekti dhe vlerësimi që e kemi për partnerët ndërkombëtarë dhe aktorët e tjerë që janë pjesë e proceseve, të cilët në forma dhe mënyra të ndryshme kanë ndihmuar dhe po ndihmojnë institucionet e vendit, me theks të veçantë ato të drejtësisë.
Siç jeni në dijeni, para tri ditësh, Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Blerim Sallahu, i quajti prokurorët të involvuar në veprimtari kriminale dhe piramida kriminale. Një gjuhë kjo e paprecedentë, e papranueshme, linçuese dhe jashtë çdo logjike shtetndërtuese dhe institucionale.
Ndaj një gjuhë të tillë, ne kemi reaguar, ku kemi kërkuar distancim të pushtetit ekzekutiv nga deklaratat e tilla. Ky distancim akoma nuk ka ndodhur dhe kjo nuk krijon hapësirë për bashkëpunim ndërinstitucional dhe e minon skajshmërisht respektin e ndërsjellë.
Është e pakuptimtë që ne të flasim në suaza të respektit, kolegjialitetit dhe mirëbesimit me dikë që i quan prokurorët tw involvuar ne veprimtari kriminale.
Mosdistancimi nga kjo gjuhë nënkupton paragjykime të atilla që janë krijuar pa bazë dhe janw tendencioze dhe kjo ngritë dilema serioze në qëllimin e vërtetë të sponzorisuesit për të rrënuar pavarësinë institucionale në emër të ndryshimeve dhe reformave ligjore në vazhdën e kësaj është dhe drafti i fundit për ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Prandaj, ne nuk do të mund të vazhdojmë të jemi pjesë e këtij grupi, pa një reflektim dhe distancim publik të Zëvendësministrit të Drejtësisë ose pushtetit ekzekutiv.
Andaj, presim një qëndrim dhe reflektim të qartë dhe të bërë publik lidhur me çështjet e ngritura, në mënyrë që të mund të marrin pjesë në këto takime.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj dhe me kaq përfundon edhe qëndrimi ynë në këtë takim!”.
Sistemi Prokurorial i Kosovës mbetet i përkushtuar dhe i hapur për të bashkëpunuar me të gjithë pa përjashtim, brenda parimeve profesionale, gjithmonë duke e ruajtur ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë institucionale dhe në ketë drejtim është thelbësore të ndërtohet besimi i ndërsjellë, të kultivohet një qasje konstruktive, pa paragjykime dhe e bazuar në objektivitet.