Sht. Nën 23rd, 2024

Prokuroria Speciale ragon ndaj raportit “Performanca e sistemit të drejtësisë në trajtimin e krimeve serioze”

Me qëllim të informimit të drejtë dhe të saktë të opinonit publik, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes këtij reagimi, sqaron se pretendimi i këtij Raporti në faqen 11 dhe 12 se gjoja prokurori i rastit nuk kishte nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe për zgjerimin e hetimeve ndaj të pandehurit, për çka aktakuza ndaj këtij të pandehuri u refuzua nga Gjykata, është i pasaktë dhe nuk qëndron.

Rasti të cilit i referohet ky raport që nga marrja në kompetencë të lëndës nga ana e PSRK-së është trajtuar me profesionalizëm të lartë, ku sipas propozimit të prokurorit rasti është veçuar nga Gjykata dhe nga një lëndë që ishte fillimisht janë krijuar dy, kurse njëra prej tyre tashmë ka përfunduar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe janë dënuar pesë të akuzuar, përfshirë edhe të apostrofuarin A.N., ndërsa lënda tjetër, pas ankesës së prokurorit, ende është në shqyrtim në Gjykatën e Apelit, prandaj PSRK-ja rezervohet të deklarohet pa përfunduar procedura gjyqësore. Për të gjithë të pandehurit në këto raste ka pasur aktvendim për fillim të hetimit përkatësisht aktvendim për zgjerimin e hetimit, në të kundërtën, gjykata nuk do të kishte mundësi të merrte vendim meritor.

Për më tepër, këto sqarime në mënyrë të detajuar i janë dhënë edhe Institutit të Kosovës për Drejtësi në komentet që janë bërë nga ana e PSRK-së në draftraport, por të cilat nuk janë përfshirë fare në raport, duke i dhënë këtij raporti më tepër karakter tendencioz sesa profesional.

PSRK-ja sqaron edhe një herë opinionin se ka aktvendim për fillim të hetimeve, përkatësisht aktvendim për zgjerim të hetimeve për të gjithë të pandehurit e përfshirë në këtë rast, i cili është duke u trajtuar me ankesë në shkallë të dytë.

Konsiderojmë se raporte të tilla, të cilat iu referohen rasteve në mënyrë selektive dhe veçanërisht rasteve, të cilat janë ende në proces gjyqësor, e aq më tepër kur nuk trajtojnë as argumentet kundërshtuese të paraqitura nga palët, në asnjë rrethanë nuk i shërbejnë hulumtimit dhe analizës profesionale të punës së institucioneve të drejtësisë, por vetëm dezinformimit dhe pasqyrimit të njëanshëm të çështjes, duke tentuar të njolloset puna e prokurorëve për interesa të kujtdoqoftë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *