Prokurorja e rastit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan që ka ndodhur në nëntor të vitit 2021, Sahide Gashi, ka bërë të ditur se pas sigurimit të provave, është arritur të konstatohet se kanë të bëjnë me një ekzekutues, me shumë gjasë, të maskuar.
Gashi, nuk e bëri të ditur motivin e kryerjes së vrasjes së trefishtë, por ajo tha se target i sulmit ishte shoferi i autobusit dhe se krimi ishte i mirë-planifikuar.
“Mbi bazën e treguesve që i kishim, siç është përzgjedhja e vendit, ku përveç një vendbanimi të vogël që gjendej në largësi të krahut të djathtë të lëvizjes së autobusit, nuk ka asnjë shtëpi në afërsi dhe se pjesa më e madhe e terrenit ishte e mbuluar me drunj e shkurre që e vështirësonte shikueshmërinë e kalimtarëve të rastit dhe ku nuk ka mbulim me kamera”.
“Zhdukja e kryerësit pa lënë asnjë gjurmë është tregues se i njëjti ose e ka njohur mirë terrenin ose ka pasur bashkëpunëtorë që e kanë ndihmuar duke e larguar prej aty menjëherë pas sulmit”, tha Gashi.
Tutje, ajo bëri të ditur se gjatë hetimeve janë proceduar 86 persona, qindra informata, janë analizuar mbi 40 video-incizime nga Gjakova e deri në Gllogjan, teksa shtoi se janë dërguar prova edhe në Zvicër e Shqipëri.
“Janë siguruar informata nga burime jashtë vendit, kompania Facebook dhe kompania Viber në Luksemburg. Si përfundim, nga të gjitha hetimet kemi arritur që të sigurojmë prova ku e kemi ndërtuar të gjithë ngjarjen e natës kritike”, tha Gashi.