Sot janë publikuar audio-incizime të reja nga biseda ndërmjet shefes së Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Audio-incizimet janë publikuar sot nga media gjersa çështja ka të bëjë me kalimin e Projektligjit për Pagën Minimale dhe për votimin e një kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese në qershor të 2022-së.
E lidhur me këto audio, sot u pyet kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media, e cila u mbajt pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
“Ju posa thatë se në këto momente paska pas ndonjë publikim, kështu që në këto momente nuk kam as se si ta shoh e as ta dëgjoj… Përshtypja ime është se tash do të intensifikohet lufta hibride kundër Republikës së Kosovës, e në veçanti kundër Qeverisë, grupit tonë parlamentar dhe shefes së grupit…
Këtë e kemi parë në të kaluarën dhe nuk pres shumëçka të re prej atyre të vjetërve, të cilët natyrisht problemin më të madh e kanë sikurse që në këto tri vite e gjysmë që ka pasur sundim të ligji, rend publik, kushtetutshmëri e integritet territorial nuk i gjeni asnjëherë në Kosovën e pasluftës”, tha Kurti.