Die. Nën 24th, 2024

Putin kërcënon sërish me përdorimin e armëve bërthamore

Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin të mërkurën se Moska është e gatshme për luftë bërthamore, ndërsa theksoi se nëse Shtetet e Bashkuara dërgojnë trupa në Ukrainë, kjo do të çonte në një përshkallëzim të konfliktit.

Komentet e tij vijnë para zgjedhjeve presidenciale në Rusi që mbahen nga 15 deri më 17 mars, në të cilat ai pritet të fitojë.

Ukraina tha se paralajmërimi i zotit Putin është një përpjekje për të frikësuar perëndimin.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia është e gatshme të përdorë armë bërthamore në rast të ndonjë kërcënimi të sovranitetit së saj.

Deklarata e zotit Putin është një tjetër pralajmërim i hapur për Perëndimin, që vjen para zgjedhjeve presidenciale të kësaj jave, në të cilat ai pritet të fitojë një mandat tjetër gjashtëvjeçar.

Udhëheqësi rus i bëri këto komente në një intervistë ë mërkurën për televizionin shtetëror rus.

“Armët ekzistojnë për t’u përdorur. Ne kemi parimet tona, në bazë të të cilave jemi gati të përdorim të gjitha llojet e armëve, përfshirë ato bërthamore, nëse vihet në rrezik ekzistenca e shtetit rus, ose dëmtimi i sovranitetit dhe pavarësisë së tij“, tha zoti Putin.

Nga fillimi i sulmit rus kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Presidenti Putin ka përsëritur disa herë gatishmërinë e tij për përdorimin e një arme bërthamore.

Një kërcënim të ngjashëm ai e bëri edhe gjatë fjalimit mbi gjendjen e vendit muajin e kaluar, kur paralajmëroi Perëndimin se përfshirja më e thellë në luftën në Ukrainë rrezikon të shkaktojë një luftë bërthamore.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë dalë ende me një reagim mbi komentet e Presidentit Putin, por në të kaluarën Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk ka parë shenja se Moska po përgatitet për përdorimin e armëve bërthamore.

Duke iu referuar aleatëve të NATO-s që mbështesin Kievin, zoti Putin deklaroi se “vendet që thonë se nuk kanë vija të kuqe me Rusinë, duhet ta kuptojnë se as Rusia nuk do të ketë vija të kuqe me ta”.

Presidenti rus shtoi se nëse ushtria amerikane futet në Ukrainë, Rusia do ta trajtojë atë si forcë ndërhyrëse.

“Nëse vendet perëndimore dërgojnë trupat e tyre në Ukrainë, kjo do të kishte pasoja serioze gjeopolitike”, tha zoti Putin.

Ministri i Jashtëm lituanez së fundmi u ankua se Perëndimi shpesh herë e kufizon veten duke vendosur vija të kuqe sa i përket Rusisë dhe mirëpriti komentet e Presidentit francez Emmanuel Macron mbi mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë.

Administrata e Presidentit Biden ka thënë se nuk planifikon dërgimin e trupave në Ukrainë, por ka theksuar domosdoshmërinë e miratimit të një projekt-ligji që ka ngecur në Kongresin amerikan, e që do të zhbllokonte ndihmat ushtarake për Kievin.

Në zyrtar i lartë i presidencës ukrainase i tha agjencisë Reuters se vendi i tij i sheh deklaratat e zotit Putin si propagandë për të frikësuar Perëndimin.

Presidenti rus e cilësoi si hap të pakuptimtë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO dhe paralajmëroi vendosjen e trupave ruse në kufi me Finlandën.

Kryeministri finlandez Petteri Orpo tha në një reagim se Rusia po përgatitet për një konflit të gjatë me perëndimin dhe kërkoi rritjen e shpenzimeve për sistemin e mbrojtjes së Evropës./VOA

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *