Hën. Mar 31st, 2025

Putin paraqet kushtin e tij për paqe

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka sugjeruar krijimin e një administrate të përkohshme ndërkombëtare në Ukrainë, për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve dhe arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Gjatë një vizite në Flotën Veriore në Murmansk, më 28 mars, Putin deklaroi se ky është një nga opsionet për t’i dhënë fund luftës.

“Kjo është vetëm një nga opsionet. Nuk po them se nuk ka të tjera”, tha ai, sipas mediave ruse.

Putin tha se një administratë e tillë do të funksiononte nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, Shteteve të Bashkuara, vendeve evropiane dhe aleatëve të Rusisë. Qëllimi kryesor do të ishte organizimi i zgjedhjeve demokratike për të krijuar një qeveri legjitime, e cila më pas do të negocionte për një traktat paqeje.

Putin ka përsëritur se Qeveria e Ukrainës nuk është legjitime, pasi presidenti Volodymyr Zelensky ka vazhduar të qëndrojë në detyrë edhe pas përfundimit të mandatit të tij. Sipas ligjit ukrainas, Zelensky vazhdon të jetë president për shkak të gjendjes së luftës, e cila ka qenë në fuqi që nga pushtimi rus në shkurt 2022.

Ende nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Ukraina për deklaratat e Putinit. sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u shpreh se është herët për negociata të nivelit të lartë me Rusinë.

“Ka ende shumë punë për të bërë me të dyja palët, sidomos me Rusinë, me të cilën nuk kemi negociuar për vite të tëra”, tha Rubio më 27 mars, pas një turneu diplomatik në Karaibe.

Ndërkohë, presidenti francez, Emmanuel Macron, në një samit në Paris me liderë perëndimorë, tha se aleatët e Ukrainës janë të bashkuar kundër strategjisë së Rusisë për të zvarritur negociatat dhe për të zgjeruar pushtimin.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *