Hën. Nën 25th, 2024

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka marr disa vendime

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka:

– Miratuar nismën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për negocimin e Marrëveshjes për Sigurime Sociale në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Republikës së Turqisë, përfaqësuar nga Ministria e Punës dhe Sigurimeve Sociale. Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të të dyja shteteve të drejtën e tyre në pensionet kontribut-paguese, pensionet familjare dhe pensionet invalidore të punës.

– Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentimit Nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2016, përmes së cilës bëhet zgjatja e afatit për zbatimin e programit vjetor IPA 2016 edhe për dy vjet shtesë me qëllim të zbatimit të projekteve që janë ballafaquar me vonesa.

– Aprovuar Rregulloren e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në kuadër të këtij Ligji kemi paraparë edhe rishikimin e Rregullores së Punës së Qeverisë për të siguruar komunikim të lehtë me publikun në kuadër të vendimmarrjes, pasi që qeveria jonë është e qytetarit, e qytetari është qendra e vëmendjes dhe vendimmarrjes së qeverisë së tij e të saj. Qëllimi i rregullores së re: Rregullimi i mënyrës së punës dhe procedurave të vendimmarrjes në Qeverinë e Republikës së Kosovës; Përcaktimi i rregullave dhe procedurave për përgatitjen e dokumenteve planifikuese, dokumenteve strategjike, hartimin e legjislacionit nga Qeveria, monitorimin, raportimin dhe komunikimin e tyre me publikun.

– Aprovuar Raportin për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit për Kundërvajtje. Qëllimi i këtij Raporti të Vlerësimit Ex-Post është të nxjerrë në pah sfidat kryesore në fushën e kundërvajtjeve, përfshirë ato të organeve dhe institucioneve në aspektin ligjor, institucional dhe funksional, me theks të veçantë në kryerjen e analizës sa i takon zbatimit dhe harmonizimit të këtij ligji me legjislacionin tjetër në fuqi.

– Ndarë 2,870,000.00 €për Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, përkatësisht “Programin për Zhvillim Rajonal”, për mbështetjen e 25 projekte kapitale në 25 komunave në pajtim me Marrëveshjet dhe Aneks Marrëveshjet e Mirëkuptimit për projektet kapitale të nënshkruara nga ministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe kryetarët e Komunave.

– Ndarë 300,000.00 € për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim për realizimin e projektit përmes marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

– Ndarë 200,000.00 € për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për realizimin e projektit përmes marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

– Ndarë 100,000.00 € për “The Kosovo American Education Fund”, me qëllim të promovimit të vendit. Në gati 20 vjet, Fondi Kosovar-Amerikan për Arsim apo Kosovo American Education Fund (KAEF) ka mbështetur arsimin post-diplomik për mbi 115 studentë të diplomuar të Kosovës në më shumë se 40 universitete lidere në ShBA.

– Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish shoqërore PSH “Progres” e cila preket nga realizimi i Projektit: “Ndërtimi i Qendrës së Paraburgimit dhe Institucionit Korrektues në Prizren”, për nevoja të Shërbimit Korrektues të Kosovës/Ministria e Drejtësisë, ZK Dushanovë, Komuna Prizren.

– Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i Projektit: Ndërtimi i Rrugës Rajonale R221 Cerkolez-Rakosh, Zonat Kadastrale: Cerkolez, Rakosh, Suhogërllë dhe Uçë, Komuna Istog.

– Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Konservimi, Restaurimi dhe Ndërtimi i Kompleksit Memorial “Masakra e Reçakut:, ZK Reçak, Komuna e Shtimes.

– Shpërbërë në mënyrë vullnetare ndërmarrjen publike qendrore “Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC)” Sh.A. Ajo ishte themeluar në vitin 2018 për të mbështetur një projekt për ndërtimin e një termocentrali të ri. Meqë projekti nuk është realizuar dhe kanë pushuar shkaqet për ekzistimin e ndërmarrjes, Qeverisë i është rekomanduar ta shpërbëjë ndërmarrjen.

– Miratuar Raportin e Performancës për Ndërmarrje Publike për vitin 2022.

– Miratuar Planin e Menaxhimit të Pellgut Lumor Drini i Bardhë, i cili ka për qëllim zbatimin dhe arritjen e objektivave të qëndrueshme të burimeve ujore të Kosovës, si dhe zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme.

– Miratuar kërkesat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve të transferuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës, në katër ndërmarrje shoqërore: NSh “Separacioni i gurëve Gadime”, në shumë prej 4,114.05 €; NSh “Energomontimi” në shumë prej 106,580.83 €; NSh “Çeliku”, në shumë prej 18,223.43 € dhe NSh “KB Baran”, në shumë prej 3,051.07 euro.

– Miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Programin e Financave Publike dhe Rritjes Ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar për programin për “Financat Publike të Kosovës dhe Rritja Ekonomike.

– Miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për Programin e parë për Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

– Emëruar Komisionin ad hoc për Vlerësimin Profesional për pranim në pozitën e lartë të kategorisë drejtuese të Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *