Hën. Nën 25th, 2024

Qeverisë i kërkohet pezullimi i dyfishimit të tatimit në pronë deri më 2025

Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka quajtur të padrejtë vendimin e marrë nga Ministria e Financave për dyfishimin e çmimit të tatimit në pronë për qytetarët e vendit.

Hulumtues të këtij instituti kanë thënë se në bazë të Ligjit për pronat një dispozitë ligjore i mundëson qeverisë që vlerësimin e pronave ta bëjë në vitin 2025.

Kështu, IKD i kërkon Qeverisë ta pezullojë vendimin për shtrenjtimin e tatimit në pronë deri më 2025.

Hulumtuesi në IKD Naim Jakaj thekson se Qeveria e Kosovës mund ta pezullojë këtë vendim deri në vitin 2025, pasi sipas tij vendi ka kaluar në kriza të ndryshme, dhe ky vendim është i paarsyeshëm.

Sipas Jakajt, ideja e ministrit të Financave për faljen e tatimit në pronë deri në 100 euro mund të bëhet vetëm përmes ndryshimit të Ligjit për pronën.

“Me Ligjin mbi tatimin në pronën e paluajtshme, vlerësimi i parë është bërë në vitin 2019 dhe me të njëjtin ligj, rivlerësimi bëhet çdo tri vjet apo çdo pesë vjet, atëherë qeveria është ngutur dhe e ka bërë rivlerësimin pas tri vjetëve. Ka mundur ta bëjë në vitin e pestë duke i marrë për bazë tri krizat që i patëm, krizën me pandeminë shëndetësore COVID, krizën nga agresioni rus në Ukrainë, e cila e prodhoi krizën e tretë me rritjen e çmimeve si pasojë e rritjes së naftës dhe derivateve të tjera…Qeveria në bazë të ligjit e ka një dispozitë ligjore që këtë rivlerësim ta bëjë edhe në vitin 2025, pra mundet edhe tash ta pezulloj këtë rivlerësimin që është bërë në vitin 2021 dhe ta dërgojë për rivlerësim tjetër në bazë të çmimeve të tjera në vitin 2025, por jo tash, ka mundur ta shtyjë”, theksoi Jakaj.

Ai thotë se rritja në këtë kohë e tatimit në pronë i ka rënduar qytetarët. Sipas Jakajt, edhe nëse ky vendim do të lejohej, qeveria do të duhej ta merrte për bazë jetën e qytetarëve, në mënyrë që të tejkalohet sa më lehtë kriza financiare.

“Është dashur që ta pezullojë rivlerësimin, t’i sjell faturat siç kanë qenë në vitin 2021 dhe rivlerësimin e ri ta bëjë në vitin 2025, sepse këtë ja lejon edhe ligji, është dashur ta zbatojë, e jo të sjellë fatura të reja, të cilët qytetarët nuk mund t’i përballojnë… Në këto momente i pa arsyeshëm vendimi për rivlerësimin e ri të pronave që është bërë në vitin 2019 dhe tash po bëhet në vitin 2022. Është i padrejtë në kuptimin pasi e lejon ligji për ta bërë në vitin 2025, dhe tjetra është se edhe sikur nuk do ta lejonte, një qeveri e cila e ka për bazë qytetarin, do të mendonte se faturimi i ri me rritje do të rëndonte më shumë jetesën e qytetarëve”, tha mes tjerash Jakaj për KP.

Mes tjerash, Jakaj tha se tatimin në pronë nuk mund ta falin komunat, siç thekson ai mund të bëhet falja e borxhit, por vetëm me ligj. Derisa shtoi se janë në pritje të ndryshimit të ligjit.

“Tatimin në pronë nuk mundin ta falin komunat, por kjo mund të bëhet në bazë të ndryshimeve ligjore, të cilat duhet t’i bëjë Kuvendi i Republikës së Kosovës me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve…Në janar të këtij viti, qytetarët e Kosovës pa qenë në dijeni dhe të njoftuar e kanë marrë faturën e re e cila ka qenë në shumë raste e katërfishuar, është vlera e cila ka ardhur në raport me të ardhurat që ata i kanë pasur, ka qenë shumë herë më e madhe… Pra, mund të bëhet falja e borxhit, por vetëm me ligj. Ligji është i paraparë të ndryshohet deri me 31 mars, dhe ne presim të shohim se si do të jetë ky ndryshim”, shtoi Jakaj.

Të enjten e kaluar në Kuvendin e Kosovës është shqyrtuar propozim rezoluta e paraqitur nga LDK-ja për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë, e cila kishte në përbërje tri pika kryesore.

Kjo parti, nëpërmjet rezolutës kërkoi që fillimisht Ministria e Financave të pezullojë rivlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023, të llogariten sipas vlerësimit paraprakë.

Ndërsa, kuvendi ka vendosur që kjo rezolutë për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë, ta bartë si pikë për votim në seancën e ardhshme.

Për shtrenjtimin e tatimit në pronë, ka pasur reagime të shumta nga deputetë të opozitës dhe nga qytetarëve.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *