Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se vendi që ai drejton, nuk ka kohë për të humbur me askënd i cili ka mbetur në kohë të vjetër.
Reagimi i tij vie specifikisht ndaj kauzave që së fundit po bën, Sali Berisha, për të cilin siç thotë Edi Rama, ka perënduar me kohë koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, transmeton klankosova.tv.
”Ka perënduar me kohë koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov, siç do të mbarojë po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë!
Ky vend është në një kohë tjetër dhe ky vit është kyç për rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve publike e atyre private, të brendshme a të huaja, turizmit që në 2023 arriti rekordin fantastik të 10 milionë vizitorëve nga jashtë, e me radhë në çdo aspekt, drejt #Shqipërisë2030.
Prandaj Shqipëria s’ka asnjë sekondë për të humbur me askënd që vazhdon me orën e vjetër, duke kërkuar nëpër rrugicat e ngushta të Kuvendit a të zonës rreth tij, rikthimin e kohës së vdekur”.