Sht. Dhj 21st, 2024

Rama për raportet me Kurtin: Disa kërkojnë të fusin vazhdimisht xixa në mes nesh

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive nuk la pa folur edhe për marrëdhëniet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Sipas Ramës, ka të tillë që kërkojnë të shikojnë me patjetër çështje të hapur në mes tij dhe Kurtit.

Fjalimin i tij para dy kabineteve qeveritare, u shoqërua me batuta, ironi e mesazhe rreth marrëdhënieve me homologun kosovar.

“Faleminderit për këtë mundësi, është kënaqësi e veçantë edhe faleminderit edhe për ndalimi ne shiut se ka pasur herë pas herë reshje 20 minuteshe mund të prishnin problemet, ishte një qen aty që lehte para së të fillonin himnet, mirëpo mbas këndimit të himneve edhe qeni nuk lehu më, çka mbase jep një mesazh për të ngjashmet e tij në botën e njerëzve që kërkojnë të fusin vazhdimisht xixa në mes nesh, dhe kërkojnë të shikojnë me patjetër çështje të hapura në mes meje dhe homologut këtu, nuk ka të tilla, ne jemi shumë të hapur dhe për çështjet për të cilat nuk merremi vesh kemi kënaqësinë e madhe t’i ndajmë duke u marrë vesh të mos merremi vesh, kështu që me të falat përkatëse për qenin unë e konsideroj të hapur këtë mbledhje”, ka thënë Rama.

Që në fillimin e fjalimit të tij, Rama përmendi raportet me kryeministrin e Kosovës, takimin me të cilin e konsideroi tejet të veçantë.

“Shprehjen e kënaqësisë për këtë moment dua ta bëjë duke falënderuar përzemërsisht Albinin dhe gjithë ju, po në veçanti Albinin dhe duke e thënë publikisht, edhe në sytë e gjithë atyre që na ndjekin për mirë apo për keq, se është një kënaqësi e veçantë edhe pse pak kush e beson kur unë e them që kur ne takohemi kemi një sinergji të plotë dhe qeshim jo pak, kjo është e rëndësishme”, ka thënë Rama.

Rama nuk kurseu as “kritikat” për Lëvizjen Vetëvendosje e cila qeverisë me Kosovën.

“Ne na lejohet të bëjmë edhe vërejtje këtu, se mbledhje pune është. Që kur Vetëvendosja ka marrë qeverinë, këto gërmat këtu janë zvogëluar, besoj për kursim letre, sepse është tanimë fakt i njohur që Vetëvendosje është forcë qeverisëse shumë e kujdesshme për shpenzimet buxhetore”, tha Rama.

Rama gjeti vërejtje edhe për protokollin e Kurtit derisa prezantoi zyrtarët nga të dy qeveritë për të folur rreth një marrëveshje në fushën e arsimit.

“Shefja e protokollit të Albinit është një grua, por këtu ka vendosur një burrë përpara një gruaje, kështu që e ne respektojmë protokollin. Dukagjini ka fjalën, pastaj Evis”, tha Rama.

Kjo është mbledhja e tetë e përbashkët në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë dhe sivjet po mbahet në Prishtinë, nën sloganin “Të përbashkuar”.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *