Pre. Shk 21st, 2025

Rama: Veliaj u ndalua pa gjyq si në diktaturë

Kryeministri Edi Rama e ka krahasuar arrestimin e kryebashkaikut Erion Veliaj të ngjashëm me ato të kohës së diktaturës. Rama nënvizon se Veliaj u ndalua pa gyq, ndërsa thekson se një drejtësi e çalë profesionalisht dhe shpërfillëse ndaj lirive dhe të drejtave kushtetuese dhe ndaj ndarjes kushtetuese të pushteteve mund të kthehet në një kërcënim për vetë demokracinë dhe në një problem real për shoqërinë.

“Nuk e di unë çfarë ke parë kur thua “sulme ndaj drejtësisë”, po nëse e ke për ato që unë kam thënë lidhur me ndalimin pa gjyq të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, atëherë kemi nevojë që të sqarohemi përsëri.

Unë mendoj që të kërkosh standardet demokratike në një proces të drejtësisë, aq më tepër për të zgjedhurit nga populli në krye të Bashkisë së kryeqytetit, që merret nga zyra e çohet në burg pa u shpallur akoma i pandehur e lëre më fajtor, nuk është aspak sulm ndaj drejtësisë; të kërkosh që drejtësia e re të kuptojë se qëllimi i lartë nuk i justifikon në asnjë mënyrë mjetet e ulëta, nuk është sulm ndaj drejtësisë, por është detyrim. Është detyrimi ynë për të ngritur zërin sepse ky është një ndër kushtet themelore të Shqipërisë 2030 në BE: Një vend ku sundon ligji dhe ku drejtësia jep vetëm drejtësi dhe nuk bën padrejtësi.

Tani që pavarësia më duket se është shalqi me provë, – kur thotë populli – madje është qartësisht burimi i një vetëbesimi të prokurorisë dhe të gjykatës speciale, ne do të flasim për forcimin e demokracisë dhe do të jemi kritik sa herë që nga drejtësia të shkelen standardet demokratike, sepse një drejtësi e pavarur, një drejtësi profesionale, një drejtësi garante e lirive dhe e të drejtave kushtetuese të kujtdo, pa përjashtim, është thelbi i një demokracie të fortë evropiane. Ndërsa një drejtësi e pavarur, por e çalë profesionalisht dhe shpërfillëse ndaj lirive dhe të drejtave kushtetuese dhe ndaj ndarjes kushtetuese të pushteteve madje, mund të kthehet në një kërcënim për vetë demokracinë, në një problem real për shoqërinë, në një pengesë për ekonominë.Ku ndryshon një gjyq në diktaturë, në autokraci apo një gjyq në demokraci? Në autokraci prokurori dhe gjykatësi janë një, një trup i vetëm kundër të akuzuarit, ndërsa në gjyqin demokratik, jo vetëm janë të ndarë, por gjykatësi është mbi palët dhe të akuzuarit dhe akuzuesit janë tërësisht të barabartë para ligjit dhe para gjykatësit”, thekson Rama.

Erion Veliaj mbahet aktualisht në paraburgim në Durrës, pas kërkesës së SPAK për akuzat e korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave.

Në seancën e 12 shkurtit, Gjykata e Posaçme rikonfirmoi masën “arrest në burg” për Veliajn dhe biznesmenin Elman Abule, ndërsa disa të tjerë morën masa të tjera, përfshirë detyrim paraqitje.

Për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa, gjyqtari vendosi të zbusë masën, duke e kaluar nga arresti shtëpiak në detyrim paraqitje, ndryshe nga kërkesa e prokurorëve për vazhdimin e arrestit shtëpiak./RTSH

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *