Sht. Nën 23rd, 2024

Reagon EULEX-i për operacionet në veri

Pas operacioneve të fundit nga Policia e Kosovës në veri, EULEX-i ka deklaruar se mandati i tyre që nga viti 2018 përfshin vetëm monitorimin dhe mbështetjen e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, dhe jo ndërhyrjen ekzekutive.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), ka bërë të ditur se ky mision është i mandatuar të ndihmojë fuqizimin e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë me qëllim që ato të jenë të qëndrueshme, llogaridhënëse, dhe të munden të garantojnë në mënyrë efektive të drejtat e secilit, pa diskriminim.

Në deklarimin e tyre, EULEX-i ka theksuar se monitorimi është komponentë esenciale e mandatit të tyre.

“Për ushtrimin efektiv të kapacitetit tonë të monitorimit të thuktë, neve na duhet të kemi edhe prezencë fizike në skenën e aktiviteteve që kryhen nga institucionet e Kosovës përgjatë tërë zinxhirit të drejtësisë”, thuhet tutje në deklaratën e tyre.

Kjo sipas EULEX-it, nënkupton monitorim në teren si palë e paanshme ndaj qëndrimit dhe veprimeve të autoriteteve të Kosovës, për vlerësimin e përputhshmërisë së tyre me parimet e sundimit të ligjit dhe detyrimet për të drejtat e njeriut, me zotim të qartë kundër çdo forme të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të diskriminimit.

Gjatë kryerjes së aktiviteteve të monitorimit, EULEX-i ka potencuar se respektojnë në tërësi pavarësinë e autoriteteve gjyqësore dhe parimin e mosndërhyrjes, dhe në rast se përmes këtyre aktiviteteve të monitorimit identifikohen mangësi të rënda, “Misioni i adreson ato me autoritetet përgjegjëse relevante”.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *