Die. Nën 24th, 2024

Reagon Lista Srpska: Nuk marrim pjesë në zgjedhje shkaku i regjimit të Kurtit

Lista Srpska ka njoftuar se vendimi për mos marrë pjese në zgjedhjet në Kosovë është shkak i “dhunës së vazhdueshme institucionale ndaj popullit tonë e ushtruar nga regjimi i Albin Kurtit, duke privuar serbët nga të gjitha të drejtat e njeriut në shekullin XXI, dhe mbi të gjitha dështimin për të përmbushur kërkesat tona të qarta, për të cilat u larguam nga institucionet e Kosovës, përkatësisht formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe dhe tërheqja e të gjitha forcave speciale nga veriu i Kosovës dhe Metohisë”, shkruan N1.

“Dy vjet më parë, regjimi antiserb i Albin Kurtit i pengoi serbët në Kosovë dhe Metohi të votojnë në zgjedhje dhe referendume, ndaloi vaksinimin kundër koronavirusit dhe pengoi dërgimin e barnave dhe mjeteve mjekësore, arrestoi, persekutoi dhe akuzoi serbët pa asnjë prove. Edhe pse ka marrëveshje në Bruksel, penguan përdorimin e targave KM në Kosovë dhe Metohi nën kërcënimin e forcës dhe me këtë ia hoqën popullit serb të drejtën e lirisë së lëvizjes”, thuhet në deklaratën e Listës Srpska.

Kjo listë pretendon se incidentet ku vriten serbët, shkatërrohen pronat e tyre dhe të Kishës Ortodokse Serbe janë pothuajse të përditshme dhe për këtë si rregull nuk ka arrestime dhe në rastet kur ata arrestohen, si në Shtërpce, sulmuesit nuk akuzohen për tentativë vrasje, por për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Lista Srpska thekson se Kurti e ka treguar qëndrimin e tij ndaj popullit serb duke “emëruar serbët besnikë si Nenad Rashiq” për ministër edhe pse “nuk ka asnjë mbështetje nga qytetarët, as edhe një deputet në Prishtinë”, si dhe duke refuzuar respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kthimin e tokës në Manastirin e Deçanit.

“Duke marrë parasysh të gjitha këto shkelje, Lista Srpska në përputhje me qëndrimet e qytetarëve që ne i përfaqësojmë me vjet të tëra, ka marrë vendim që të mos marrë pjesë në këto zgjedhje. Mosbesimi që serbët ndjejnë ndaj Kurtit është konkretizuar me lëvizjet e tij të fundit”, thuhet në deklaratën e LS-së.

Ata gjithashtu mohuan “akuzat e Kurtit ndaj Beogradit zyrtar”, duke thënë se Beogradi zyrtar “ka qenë gjithmonë një partner konstruktiv dhe i vendosur për të ruajtur paqen në këto zona”.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *