Pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak, për të shtatën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara.
Njësitë speciale të Policisë së Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë atje.
Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, duke “tërhequr menjëherë njësitë speciale dhe duke hequr bllokadat rrugore”.
Borrell, përmes një deklarate, ka thënë se çdo provokim i mëtejmë apo veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara, do të jenë të papranueshme.
“Si liderët e Kosovës, ashtu edhe ata të Serbisë janë përgjegjës për çdo rrezik për sigurinë e komuniteteve lokale. Këtë qëndrim ia kam bërë të ditur edhe presidentit (serb, Aleksandar) Vuçiq dhe kryeministrit (të Kosovës, Albin) Kurti gjatë bisedave të zhvilluara kësaj jave”, tha ai.
Borrell ftoi Kosovën dhe Serbinë që çështjet e hapura, përfshirë atë lidhur me lirinë e lëvizjes t’i zgjidhin përmes dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të shtunën se vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se derisa ka rrezik në pikat kufitare, aty do të qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Reagimi i Borrellit vjen vetëm një ditë pasi Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.
Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike, NATO, Jens Stoltenberg tha se ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të ulin tensionet në veri të Kosovës.
“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me nevojën për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Është vitale që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i misionit të NATO-s, KFOR-it mbetet që të sigurohet që të ketë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, ka shkruar në Twitter, Stoltenberg.
Pas dy incidenteve situata në veri të Kosovës, të dielën raportohet të jetë e qetë.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë, që ka qëndruar në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, thotë se në orët e mëngjesit të ditës së diel janë parë dy avionë nga Serbia duke fluturuar në afërsi të kufirit me Kosovë.
ImageAvionë të Serbisë duke fluturuar pranë pikës kufitare të Jarinjës.FOTO GALERI
Por, në përgjithësi raportohet se gjithçka është qetë dhe nën mbikëqyrje të Policisë së Kosovës.
Serbët lokalë po kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.
Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.
Kurti takon liderët e opozitës
Situata në veri ka bërë që të dielën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të zhvillojë një takim me liderët e partive opozitare në Kosovë.
Në takimin, ku morën pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhik, Kurti ka njoftuar liderët opozitarë për zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës.
Pas takimit, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se ka kërkuar që Kurti të marrë masa për të garantuar sigurinë e policëve dhe të gjithë qytetarëve në komunat veriore.
“Njëkohësisht, përballë kësaj situate dhe për menaxhimin efikas të saj, kërkova që të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in”, tha ai.
Ndërkaq, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se i kërkoi Kurtit që të qartësojë se çfarë vendimesh do të merren.
“Kërkova qartësime shtesë për rrugën tonë përpara, qartësime që duhet të na vijnë sa më parë. Kosova nuk e ka luksin të durojë tensionet në territorin e vet”, tha Abdixhiku.
Në takim nuk ishte i pranishëm lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë se ka qenë në zyrën e Kurtit në ora 09:00, por kryeministri nuk ka qenë i pranishëm.
“Qëndrimi im për situatën në veri është i qartë dhe ai nuk ndryshon kurrë, pavarësisht nëse vjen kryeministri në takim apo jo! Kosova duhet të mbrohet edhe me jetë”, tha Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook.
Gjermania e Austria bëjnë thirrje për dialog
Komuniteti ndërkombëtar ka thirrje për shtensionim të situatës dhe kanë kërkuar dialog mes dy palëve për këtë çështje.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.
“Situata në veri duhet të shtensionohet. I bëj thirrja të dyja palëve që të flasin me njëra-tjetrën dhe jo për njëra-tjetrën. Rruga më e mirë përpara: takohuni në Bruksel dhe gjeni zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar ai në Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme që të shkojë në Bruksel për të biseduar për këtë çështje, por një takim i tillë është refuzuar nga Serbia.
Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Austrisë ka dënuar incidentet që kanë ndodhur në veri të Kosovës më 25 shtator dhe ka bërë thirrje që palët të zgjidhin problemet përmes dialogut dhe jo dhunës.
“Dënojmë fuqishëm incidentet e natës së kaluar në Kosovë. Zgjidhja për çështjet e hapura qëndron te bisedimet, jo dhuna. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga hapat ndarës dhe nga frikësimi. Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është mënyra e vetme për një të ardhme paqësore dhe për integrimin në BE”, tha MPJ e Austrisë përmes një postimi në Twitter.
Takimi i Këshillit të Sigurisë së Kosovës
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti një ditë më parë, mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës ku u diskutua situata në veri dhe koordinimi i hapave të mëtejmë.
Ndërkaq, për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 25 shtator ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës.
Presidentja Osmani ka thënë se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.
Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.
Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media, të shtunën ka thënë se Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar që rrezikon të marrë përmasa rajonale.
“Serbia qartazi dëshiron të militarizojë dhe të e eskalojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Kosovës edhe helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve, provokimeve ku përdoren qytetarët e Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marrë përmasa rajonale”, tha Kurti.
Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vite.
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë./REL