Pre. Nën 22nd, 2024

Rezultatet paraprake: E djathta ekstreme në Austri duket se po shkon drejt fitores në zgjedhje

Rezultatet paraprake tregojnë se Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë (FPO) ka epërsi ndaj konservatorëve në pushtet në votimet e së dielës në Austri dhe duket se po shkon drejt fitores së parë në zgjedhje parlamentare.

Parashikimet e televizionit publik ORF, bazuar në numërimin e pjesshëm, tregojnë se Partinë e Lirisë ka siguruar 29.1% të votave, ndërsa Partia Popullore Austriake e kancelarit Karl Nehammer 26.2%. Social Demokratët e qendrës së majtë ishin në vendin e tretë me 20.4%.

Herbert Kickl, një ish-ministër i brendshëm që ka udhëhequr Partinë e Lirisë që nga viti 2021, synon të bëhet kancelari i ri i Austrisë, nëse parashikimet konfirmohen, gjë që do ta bënte partinë e tij të parën forcë politike të ekstremit të djathtë që fiton në zgjedhjet kombëtare në Austrinë e pas Luftës së Dytë Botërore.

Por për t’u bërë udhëheqësi i ri i Austrisë, atij do t’i duhet një partner koalicioni për të siguruar një shumicë në dhomën e ulët të parlamentit — dhe rivalët e tij kanë thënë se nuk do të bashkëpunojnë me zotin Kickl.

Një fitore e Partisë së Lirisë do të shkaktonte mosmarrëveshje brenda Bashkimit Evropian për luftën në Ukrainë.

FPO kishte kryesuar sondazhet për muaj të tërë, por epërsia e saj ndaj Partisë Popullore Austriake (OVP) konservatore të kancelarit Karl Nehammer, pothuajse ishte zhdukur në një fushatë ku kanë mbizotëruar shqetësimet e votuesve mbi ekonominë dhe emigracionin.

“Gjëja më e rëndësishme është nëse do të jetë FPO-ja që do të ketë të drejtën të emërojë kancelarin apo jo. Nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë duhet të them se roli i Austrisë në Bashkimin Evropian do të ndryshojë thellësisht. (Kreu i FPO-së Herbert) Kickl ka thënë shpesh se (kryeministri hungarez) Viktor Orban është model për të”, thotë Kathrin Stainer-Haemmerle, profesore e shkencave politike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Carinthia.

Kancelari Nehammer e kishte paraqitur veten si një burrë shteti dhe e përshkruan rivalin e tij, udhëheqësin e FPO-së, Kickl, si një kërcënim toksik.

Zoti Kickl e ka quajtur veten një mbrojtës të neutralitetit austriak dhe ka thënë se do të pastrojë vendin pas viteve të dështimeve në qeverisje.

Një fitore e FPO-së do ta bënte Austrinë vendin më të fundit të BE-së që shënon mbështetje në rritje të së djathtës ekstreme, pas forcimit të kësaj prirjeje në vende si Holanda, Franca dhe Gjermania.

FPO euroskeptike, e cila është kritike ndaj fesë Islame dhe ka premtuar rregulla më të ashpra për azilkërkuesit, fitoi një votë kombëtare për herë të parë në qershor, kur mundi OVP-në me më pak se një për qind në zgjedhjet evropiane.

OVP, e cila ashtu si FPO mbështet rregulla më të ashpra të imigracionit dhe ulje taksash, është e vetmja parti e hapur për të formuar një koalicion me partinë e ekstremit të djathtë. Megjithatë Kancelari Nehammer thotë se partia e tij nuk do të formojë një qeveri nëse zoti Kickl është pjesë e saj.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *