Emisari i Gjermanisë, Manuel Sarrazin, tha se vendi i tij është përkrahës i fortë i Kosovës, por shtoi se është kyçe tash për Kosovën që të bindë shtetet anëtare të Këshillit të Evropës ta përkrahin kërkesën e saj për anëtarësim.
“Kemi ndjekur me vëmendje zhvillimet në Asamblenë Parlamentare. Dhe ne, natyrisht, marrim parasysh vendimin e Asamblesë Parlamentare në diskutimet tona. Natyrisht, ne jemi miq dhe përkrahës të fortë të Kosovës. Dhe ne qëndrojmë pas idesë për ta afruar Kosovën me Europën, që nënkupton edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Por vendimi në fund do të jetë i Këshillit të Ministrave dhe është thelbësore që Kosova tani të bëjë gjithçka që mund të bëjë për të bindur një shumicë të gjerë të shteteve anëtare. Sidomos të drejtat e pakicave janë një temë kyçe për Këshillin e Evropës”, tha Sarrazin për EWB.
I pyetur për “pakënaqësinë e autoriteteve serbe” për themelimin e Asociacionit nga ana e Kosovës, Sarrazin tha se kushtet që i cakton Serbia nuk përbëjnë kushte edhe për Gjermaninë.
“Më duhet të them se nuk mund ta ndjek vërtet argumentimin e Serbisë. Së paku për palën gjermane, mund të them se kriteret e përmendura nga Serbia nuk janë publikuar asnjëherë si kriteret tona për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës. Në përgjithësi, situata e ballafaqimit me minoritetet në Kosovë është shumë relevante. Por Kosova ka obligim nga marrëveshjet e Brukselit të arritura në vitin 2011 dhe 2013, si dhe nga marrëveshja e Ohrit për të zbatuar Asociacionin. Ajo që është e qartë është se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, e cila përfshin themelimin e Asociacioni”.