Die. Nën 24th, 2024

Sejdiu largohet nga gara për drejtor të SHSKUK-së/ Avokati Shefqeti: Iu bë me qëllim, do ta padisim SHSKUK-në

Ish drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) Basri Sejdiu ishte njëri nga gjashtë kandidatet në garë për drejtor të SHSKUK-së. Në listën e publikuar nga vet SHSKUK-ja ishte dhe emri i Basri Sejdiut si i përzgjedhur në listën e ngushtë, në mesin e gjashtë kandidatëve. Por një ditë më vonë emri i tij u hoq nga lista dhe në garë për këtë post, kanë mbetur vetëm pesë kandidat.

Avokati i Sejdiut Florim Shefqeti i tha ” IndeksOnline” se e gjithë kjo është bërë me qëllim që Sejdiun ta largojnë nga gara, pasi që i janë frikësuar konkurrencës.

“Derisa është shkel ligji përmes një opinioni, atëherë qëllimi është i pastër, që kjo është bërë vetëm me eleminu nga gara, sepse i janë frikësuar konkurrencës”, tha ai.

Ai madje thotë se vendimi për heqjen nga lista është bërë bazuar në një opinion të Ministrisë së Punëve të Brendshme, opinion ky i cili sipas tij, është në kundërshtim me Ligjin.

“Neni 8 paragrafi 6, e përcakton që kusht për mos të pasur të drejtë me kandidu, duhet nëse personi ka masë disiplinore të largimit nga posti i zyrtarit publik. Ndërsa Sejdiu kurrë nuk ka pasur kësi mase disiplinore. Ajo dispozitë ligjore që ka qenë e përcaktuar në ligj, është bartë dhe në konkurs, e që thuhet se nuk duhet të jetë i përjashtuar nga zyrtarë publik. Ky kurrë nuk ka qenë i përjashtuar nga zyrtarë publik. Dhe me të drejtë zyra e personelit, fillimisht e ka futur në listë, sepse ai i ka plotësuar kriteret ligjoret, që janë bartur dhe në konkurs. Por çfarë ka ndodhur më vonë, nuk e kemi fort informacionin. Por kanë kërkuar një opinion nga MPB dhe ai opinion tash ka thënë në kundërshtim me ligjin, që Sejdiut nuk i lejohet për të aplikuar”, thotë ai.

E arsyeja për heqjen nga lista, sipas tij ka të bëjë me një masë disiplinore, që i është shqiptuar Sejdiut kohë më parë, lidhur me listat e gjata të pritjes për pacientët në kardiologji.

“Gjoja se ky ka pasur një masë disiplinore më herët . Në fakt e ka pas sepse ia patën montu, sepse ky është deklaruar se ka numër të madh të pritjes. E në fakt gjithë ka pasur numër të madh të pritjes. Ky asgjë s’ka bërë vetëm është deklaruar, që ka numër të madh të pritjes, për intervenime në zemër. Për këtë ia kanë shqyrtuar masën disiplinore, por kjo nuk ka qenë largim nga zyrtarë publik”, tha ai.

Ndërsa thotë se po presin një përgjigje me shkrim nga SHSKUK-ja dhe se do të marrin hapat të tjerë, për ta paditur SHSKUK-në.

“Ne po presim nga SHSKUK-ja ta marrim një përgjigjej me shkrim dhe kemi me paraqit padi dhe eventualisht kemi me paraqit kallëzim penal. Sepse sikur të kish ekzistu ideja e opinioneve, ne s’do të kishim pas nevojë fare për ligje. Por kur e kemi në ligj, nuk ka mundësi opinioni me ndryshu ligjin. Ata opinionin e kanë bërë në kundërshtim me ligjin për zyrtarët publik, Nenin 8”, tha ai.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *