Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Muharrem Nitaj ka folur pas takimit të sotëm me kryeparlamentarin në detyrë, Glauk Konjufca.
Nitaj ka thënë se procesi i krijimit të qeverisë është tejet i komplikuar.
“Deri më tani nuk ka shenja se VV i ka siguruar numrat e nevojshëm për krijimin e qeverisë”, ka thënë Nitaj.
Ai u shpreh se gjithçka mbetet e hapur për opozitën.
“Gjithçka mbetet e hapur për opozitën, e cila si e bashkuar, e ka shumicën, sado që formulë njëkohësisht e komplikuar edhe kjo. Duket që edhe konstituimi i Kuvendit do të jetë një veprim, po ashtu i komplikuar”, tha Nitaj.
Sekretari i AAK-së tutje u shpreh se në mbledhjen e sotme me Kryetarin e Kuvendit, u tha se sipas Rregullores, Kuvendi konsiderohet i konstatuar pasi që të zgjidhen Kryetari dhe pesë nënkryetarët, përfshirë edhe dy nënkryetarët nga radhët e pakicës serbe dhe komuniteteve të tjera jo shumicë.
“Sipas kësaj logjike, është e mundur që konstituimi i Kuvendit të jetë në dorën e Listës Serbe! Krejt po duket se dikush po punon që të bëhet llugë e vendi të shkojë prapë në zgjedhje”, tha Nitaj.