Sylejman Selimi, sot në Hagë mohoi se e ka takuar ndonjëherë Sokol Dobrunën por që ka dëgjuar që ai ishte udhëheqës i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.
Fillimisht dëshmitari u pyet nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq se a e ka ditur që ka ekzistuar gjykata ushtarake.
“Ka qenë një komunikatë e Shtabit të Përgjithshëm sa me kujtohet mua që ka folur për diçka të tillë”, tha dëshmitari.
Më pas ai u pyet se a e dinte se kush ishte udhëheqës i kësaj gjykatë për çka dëshmitari tha se e ka dëgjuar emrin e Dobrunës por që nuk e ka takuar asnjëherë.
“Nuk e dija. Unë e dija emrin si e thatë më herët por nuk e kam takuar asnjëherë”, tha dëshmitari Sylejman Selimi.
Meqë dëshmitari në atë kohë ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së, Mishetiq e pyeti atë se kujt i raportonte Dobruna.
“Unë në këtë periudhë nuk jam merrë. Prap kam qendru në Drenicë dhe nuk i kam kry detyrat e komandanti të përgjithshëm në Berishë. Nuk jam merr me çështje organizative të Shtabit ttë Përgjithshëm”, tha ai.
Në anën tjetër, Mishetiq e pyeti dëshmitarin se kur ishte larguar nga posti i të parit të UÇK-së.
“Nuk e di datën saktë, por kur është kthyer për Rambujeje delegacioni i Rambujesë. Aty u kanë fillimi i bombardimeve. Dita e parë, dytë e tretë. Me 24 mars kanë fillu bombardimet dhe i bie që me kanë pas 2-3 dite apo një dite”, tha ai.
Gjatë kësaj kohe nga 13 shkurti deri me 24 mars 1999 dëshmitari pohoi se ka qëndruar në Abri dhe se nuk e dinte se kush e mbikëqyrte punën e gjykatës ushtarake.
Dëshmitari u pyet se pse u zëvendësua komandant Drini nga Zona Operative të Pashtrikut.
“Besoj që është avancu në Shtabin e Përgjithshëm për detyra të mëtutjeshme”, tha Sylejman Selimi.
Për ngritjen e komandant Drinit në detyrë, dëshmitari tha se nuk e di a ka marrë ndonjë vendim me shkrim por i kujtohet që e ka mbajtur një takim në Shtabin e Përgjithshëm.
Dëshmitari u pyet se a ishte pro apo kundër zgjedhjes së tij si komandant i përgjithshëm i UÇK-së.
“E di që në fund gjithë kanë qenë për. Ka pasur diskutime edhe për emra të tjerë por të gjithë kanë qenë ‘për’ në fund të takimit”, tha dëshmitari duke iu referuar takimit kur vetë ai u emërua si komandant i përgjithshëm i UÇK-së.