Mar. Nën 26th, 2024

Serbia vendosi 48 baza operuese ofensive në kufiri me Kosovën, Ibishi i sheh si kërcenim real për vendin

Serbia ka vendosur 48 baza operuese ofensive nga ato, 28 janë baza ushtarake dhe 20 sosh të xhandarmërisë rreth kufirit të Kosovës.

Kështu ka thënë kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës që kishte në Amerikë, ku vuri theksin te kërcënimi për sigurinë e Kosovës dhe rajonit që mund t’iu vijë nga aleanca ushtarake e Serbisë me Rusinë. Ai po ashtu theksonte nevojën për demilitarizimin e brezit tokësor disakilometërsh rreth kufirit të Kosovës.

Ndërkohë eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka deklaruar se pas heqjes së zonës së sigurisë, Serbia ka filluar të koncentrojë forcat në kufi të Kosovës, dhe sipas tij, kjo është shqetësuese për Kosovën.

“Pas heqjes së zonës sigurisë, pra Serbia ka filluar të koncentrojë forcat në kufi të Kosovës që e ka pjesën më të madhe të kufirit shtetëror, krahasim me vendet e tjera, nëse e marrim Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, kështu që është shqetësuese kjo”, theksoi Ibishi.

Ai ka shtuar se kjo është edhe një presion apo një kërcenim real ndaj Kosovës. Sipas tij, për të qetësuar situatën duhet edhe bashkësia ndërkombëtare të ndërmerr masa për të mos e kthyer zonën e sigurisë dhe të largohen forcat ushtarake dhe xhandarmerisë.

“Edhe kryeministri ka kërkuar me të drejtë që këto forca të largohen ose për të mos e kthyer prapë zonën e sigurisë kufitare, çfarë ka qenë atëherë pas marrëveshjes së Kumanovës që ka zgjat me vite. Për këtë arsye mendoj që kjo është edhe një presion apo një kërcenim real ndaj Kosovës kur edhe nga autoritetet serbe, nëse presidenti Vuçiq por edhe të tjerët dërgojnë kërcënime të vazhdueshme, sidomos kur ata vet në mënyrë artificiale po tensionojnë situatën kur ndërmerren aksione policore, sidomos në veri kur luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, ata menjëherë koncentrojnë trupat. Për këtë arsye për ta qetësuar situatën duhet edhe bashkësia ndërkombëtare të ndërmerr masa për të mos e krijuar zonën e sigurisë, atëherë të largohen forcat ushtarake dhe xhandarmerisë nga afërsia e brezit kufitar me Kosovën”, u shpreh Ibishi për KP.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *