Hën. Nën 25th, 2024

Shqipëria hap kapitullin e parë në negociatat e anëtarësimit në BE

Shqipëria ka hapur kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian, më 15 tetor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto, në Luksemburg, e vlerësoi si historik këtë moment.

“Çelja e kapitujve përbën arritje të madhe dhe shënon gurthemel historik në rrugëtimin e përbashkët. Çdo sukses që Shqipëria në procesin e BE-së duhet të shihet si hap për të gjithë rajonin. Për Shqipërinë nuk ka tjetër të ardhme”, tha Rama.

Sipas metodologjisë së re, në procesin e zgjerimit fillimisht është hapur grupi i parë ku janë kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Progresi në këtë fushë do të diktojë edhe përparimin në tërë procesin negociator.

Kryediplomati hungarez Szijjarto tha se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të përshpejtohet.

“Na duhet energjia e re dhe kjo do të vijë nga hapësira e Ballkanit Perëndimor. Është në interes të BE-së që zgjerimi të përshpejtohet. Na duhet të marrim hapa urgjente për të ruajtur besueshmërinë e politikës së zgjerimit. Duhet të përshpejtojmë procedurën e zgjerimit tani”, tha ai.

Szijjarto theksoi se Shqipëria është gati për t’iu bashkuar BE-së, duke shtuar se shpreson që Brukseli të bëjë “detyrat burokratike”, dhe që një tjetër konferencë të realizohet brenda presidencës hungareze.

Edhe komisioneri për zgjerimin e BE-së, Oliver Varheyli nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së.

“Dua të falënderoj presidencën e Hungarisë që vendosi zgjerimin si përparësi politike dhe bëri përpjekje të jashtëzakonshme për ta nxitur më tej. Na duhet zgjerimi, që BE-ja të bëhet më e forte”, tha Varheyli.

Shqipëria ka pritur disa vjet që të hapë negociatat për anëtarësim. Tani, pas hapjes së kapitujve të parë pritet që procesi të jetë më i shpejtë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *