Hën. Nën 25th, 2024

Shtërpca, komunë ku nuk respektohen ligjet

Komunën e Shtërpcës ka përuruar një spital me vlerë 1,647,257 euro por i njëjti ende nuk është funksionalizuar. Kurse, katër ndërtesa banimi, të ndërtuara para 6 viteve për qytetarë me gjendje të rëndë sociale, në vlerë prej 2,709,075 euro, janë të pashfrytëzuara dhe kanë filluar të dëmtohen dhe të demolohen. Ndërkohë, bizneset veprojë pa paguar as taksën e regjistrimit e as tatimin mbi pronë. Kjo pasi komuna nuk shpërndan faturat.

Këto janë vetëm disa të gjetura të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, në këtë komunë, e cila ka mungesë të kontrolleve të brendshme rreth menaxhimit të pasurive.

“Komuna nuk kishte regjistruar në regjistrat kontabël të SIMFK-së blerjet e vitit 2021 që janë bërë nga kategoria e investimeve kapitale në vlerë prej 388,168€ (ku përfshihen paisjet mjeksore me vlerë prej 330,406€ si dhe ndërtimi i rrugëve lokale me vlerë 57,762€). Po ashtu, Komuna nuk e aplikon sistemin e-pasuria për regjistrimin e pasurive nën 1,000€, blerjet e vitit në vlerë 119,771€ ku përfshihen blerja e kompjuterëve, inventarë të ndryshëm dhe paisje tjera të IT-së të cilat nuk janë regjistruar në sistemin epasuria, duke bërë që vlera e pasurive kapitale dhe jo kapitale të mos jetë e shpalosur saktë në PFV”, thuhet në raport.

Auditori ka gjetë edhe menaxhim jo të duhur të pasurive.

“Vlera e përgjithshme origjinale e pajisjeve mjekësore në regjistrin e pasurisë është 1,823,644€, të cilat mbahen në depo, nuk shfrytëzohen, zhvlerësohen dhe për disa prej tyre vlera e mbetur në libra është zero. Zhvlerësimi për këto pajisje në fund të vitit 2021 ka vlerën prej 1,214,173€, ndërsa vlera e mbetur në libra është 609,471€. Komuna ka ndërtuar një Spital, kostoja e të cilit arrinë vlerën prej 1,647,257€. Pranimi teknik është bërë me dt.31.10.2012 dhe i cili ende nuk është funksionalizuar dhe i njëjti ka filluar të zhvlerësohet që nga data e pranimit teknik. Zhvlerësimi i akumuluar i kësaj ndërtese deri në fund të vitit 2021 ka arritur vlerën prej 377,473€, ndërsa vlera neto në libra ka mbetur 1,269,684€. Në regjistrin e pasurive të komunës janë të evidentuara katër ndërtesa banimi, të ndërtuara për qytetarë me gjendje të rëndë sociale, në vlerë prej 2,709,075€. Edhe pse ndërtesat janë të përfunduara para më shumë se 6 viteve ato ende janë të pashfrytëzuara, nuk janë të pranuara teknikisht, mbahen si investime në vijim dhe nuk zhvlerësohen. Këto ndërtesa nuk shfrytëzohen nga askush, nuk kanë përkujdesje dhe nuk mirëmbahen. Nga vizita e realizuar kemi vërejtur se këto ndërtesa kanë filluar të dëmtohen dhe të demolohen. Shkaku për se ka ardhur deri te kjo është neglizhenca, papërgjegjësia e menaxhmentiti dhe mungesa e kontolleve të brendëshme për t’i korgjuarë çështjet më lartë. Ndikimi mbajtja e pajisjeve në depo për kohë të gjatë dhe mos funksionalizimi i tyre ndikon në zhvlerësimin e tyre ende pa u përdorur. Po ashtu, kjo ndikon edhe në dëmtimin fizik për shkak të kushteve të pa përshtatshme të ruajtjes së tyre dhe paraqet rrezik nga keq përdorimet dhe përvetësimet e paligjshme. Më tutje, mos pranimi teknik, mos lëshimi në punë dhe menaxhimi i tillë i ndërtesave rritë rrezikun që ato të dëmtohen dhe të rritet kostoja e kthimit të tyre në gjendje për përdorim”, thuhet në raport.

E sipas raportit në Komunën e Shtërpcës, bizneset nuk paguajnë asnjë taksë, sepse komuna nuk ka shpërndarë faturat.

“Sipas nenit 3 të rregullores komunale për taksa, kërkohet që pas regjistrimit të veprimtarisë afariste përcaktohet shuma vjetore e taksës me aktvendim dhe i dorëzohet subjekteve afariste më së voni një muaj para fillimit të vitit kalendarik. Komuna e Shtërpcës nuk kishte shpërndarë te bizneset aktvendimet / faturat për taksë në biznes për vitin 2021 dhe nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim për zbatimin e rekomandimit të dhënë në auditimin paraprak. Kjo gjendje vazhdon të jetë për shkak të neglizhencës së zyrtarëve përgjegjës. Ndikimi Mosrespektimi i rregullores lidhur me shpërndarjen e faturave (aktvendimeve) për taksën në biznes ndikon direkt në uljen e të hyrave, gjë që rezulton në fonde më të vogla të Komunës për të arritur objektivat e planifikuara”, thuhet në raport.

Auditori ka gjetë edhe menaxhim jo të duhur të llogarive të arkëtueshme.

“Gjetja sipas ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme me nenin 30 pika 1 është përcaktuar se nëse pas njëqind e tetëdhjetë ditëve kalendarike nga dita e fundit për pagesë, në përputhje me paragrafin 1. të nenit 27 të këtij Ligji, pagesa ende nuk është bërë, komuna merr vendim mbi ekzekutimin e detyrimeve tatimore të papaguara që kanë kaluar shumën e treqind eurove. Vendimi merret brenda dhjetë ditëve pune. Gjithashtu sipas rregullores mbi taksat, tarifat dhe ndëshkimet komunale, neni 3, taksa për ushtrimin e veprimtarisë afariste, pika 3 i obligon subjektet afariste që të paguajnë të gjitha obligimet financiare nga vitet paraprake, njëherit neni 27 parasheh dënime për mos respektim të dispozitave të rregullores komunale në fjalë. Nga 70 mostrat e testuara për Ll.A, 20 prej tyre për tatimin në pronë, për të gjitha këto raste, borxhet ishin mbi 300 euro (për secilin), si obligime të pa shlyera ndaj Komunës, po ashtu për taksën në biznes 17 raste në vlerën prej 31,600 euro, biznese nuk i kishin shlyer obligimet ndaj komunës për vite me radhë. Komuna, megjithatë, në asnjë rast nuk ka iniciuar procedurë të arkëtimit të detyrueshëm, për këtë arsye të arkëtueshmet po rriten nga viti në vit, dhe nëse e krahasojmë me vitin 2020, ku vlera e Ll.A ishte 2,591,936 euro, në vitin 2021 është 3,029,583 euro, ku shihet se ka një rritje për rreth 437,647 euro apo 15%. Gjatë auditimit te taksat për kryerjen e aktiviteteve afariste, kemi konstatuar se komuna për vitin 2021 nuk u ka përcjellë lejet për ushtrimin e veprimtarisë subjekteve afariste. Lidhur me këtë kemi bërë një rishikim të detajuar të data bazës së llogarive dhe është konstatuar se baza e të dhënave është plotësisht jo e besueshme për shkak se disa biznese nuk janë përfshirë në bazën e të dhënave. Data baza përmban një numër të madh të gabimeve dhe për shkak se ngarkesa është bërë në mënyrë paushalle nga viti në vit, pa u vërtetuar statusi i subjektit afarist. Për shkak të mos kryerjes së detyrave me përgjegjësi si duhet zyrtarët përgjegjës për mbajtjen e evidencës së të arkëtueshmeve me jo efektivitetin dhe mos efikasitetin në punë, nuk u kanë dorëzuar obliguesve paralajmërimet e fundit para mbledhjes së detyrueshme, që si pasoj ka ardhur deri te mos shlyerja detyrimeve vite me radhë”, thuhet në raport.

E krejt këto kanë ndikuar edhe në vonesën e pagesës së faturave sipas ligjit.

“ Me nenin 39 të LMFPP, kërkohet që çdo faturë e vlefshme dhe kërkesë për pagesë për mallrat dhe shërbimet, shërbimet e furnizuara dhe/ose punët e realizuara për organizatën të paguhet brenda 30 ditëve kalendarike pas pranimit të faturës. Nga testimi i pesë (5) mostave kemi vërejtur se në dy (2) raste me vlerë 12,580€, faturat nuk janë paguar brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Vonesat kryesisht janë prej 30 ditë deri në 90 ditë përtej afatit të paraparë ligjor. Shkaku i mos pagesave me kohë ishte mungesa e mjeteve”, theksohet në raportin e Auditorit.

Auditori shton se pavarësisht që buxheti për investime kapitale ishte rritur gjatë vitit 2021, vetëm 44% e buxhetit ishte shpenzuar, pesë projekte në vlerë prej 315,000euro, të cilat ishin planifikuar me buxhet, nuk janë realizuar në vitin 2021, arsyet e mosrealizimit janë: projekti Hartimi i projekteve të detajuara me vlerë 30,000euro ndodhet në OSHP, projekti participimi i përbashkët 30,000 euro nuk ka filluar sepse nuk ka participues, Hartimi i mapës zonale, punët janë përfunduar mirëpo OE ka pasur vonesë në kryerjen e projektit ndërsa projektet e tjera nuk kanë filluar për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore sepse ato parashihen të financohen nga të hyrat vetanake.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *