Pas shtyrjes së aksioni për largimin e institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut, analisti politik Gazmir Raci, vlerëson se komunat duhet të veprojnë sipas mandatit Ligjor.
Sipas tij, politika dhe faktorë të tjerë nuk duhet të përzihen në funksionimin e shtetit Ligjor.
“Të gjitha komunat e kanë mandatin e tyre Ligjor dhe duhet të veprojnë sipas atij mandati. Nuk është mirë politika, faktor të ndryshëm të përzihen në funksionimin e shtetit Ligjor sepse bien ndesh me kërkesat për ndërtimin e një shoqërie ku rendi dhe ligji janë të zbatueshëm dhe politika qëndron larg tyre”, thotë ai për “Bota sot”.
Ndryshe, Komuna e Mitrovicës së Veriut sot ka marrë vendim që të shtyhet afati për lirimin e ndërtesës në lagjen e Boshnjakëve, që shfrytëzohet nga strukturat paralele të Serbisë.
Nga ana tjetër, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë tha të mërkurën se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut për largimin e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, e as në përputhje me kërkesat e saj për mosndërmarrjen e veprimeve që mund ta përshkallëzojnë gjendjen.