Pre. Sht 20th, 2024

S’kalon mocioni i PDK-së për tërheqjen e tre projektligjeve

Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar mocion, ku përmes rezolutës i obligohet qeverisë të tërhiqet nga tri projektligje. Opozita vlerëson se projektligji për Këshillin Prokurorial i Kosovës, për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe për Zyrtarët Publik është në kundërshtim me frymën kushtetuese në Kosovë. Me këtë nuk është pajtuar partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se të tri këto projektligje kanë ndjekur të gjitha procedurat. Ky mocion nuk ka kaluar, për votuan 23 deputetë, kundër 53 dhe një abstenim.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri kërkoi që përmes një rezolute të obligohet qeveria për tërheqjen e tri projektligjeve.

Tahiri: Përmes një rezolute obligohet qeveria për tërheqjen

“Propozojë një mocion përmbajtjesor i cili kërkon ndryshimin e rendit të ditës të kësaj seance. Ne si GP i PDK-së kërkojmë që përmes një rezolute ta obligojmë Qeverinë e Kosovës për tërheqjen e tri projektligjeve të cilat ne vlerësojmë që janë në kundërshtim me frymën kushtetuese. Procedimi sot i projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, procedimi i ligjit për Këshillin e Pavarur të Mediave dhe procedimi i ligjit për Shërbyesit Civil, janë tri projektligje në kundërshtim me frymën kushtetuese në vendin tonë. Ne si opozitë nuk duam që thjesht ta kemi një betejë politike në këto tri projektligje, mund të punojmë se bashku sidomos në ligjin i cili e cenon fjalën e lirë dhe mediat e lira në vendin tonë”, deklaroi ai.

Kryetari i grupit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se vlerësojnë se mocioni për tërheqjen e këtyre tri projektligjeve është i arsyeshëm pasi janë anti-kushtetuese.

Gashi tha se duhet të largohen nga rendi i ditës Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe projektligjin për zyrtarët publik, pasi do të ishin në vazhdën e ligjeve antikushtetuese.

Gashi: Tri projektligjet janë me përmbajtje anti-Kushtetuese

“Do të ishin tri projektligjet e radhës të cilat do të ishin me përmbajtje anti-Kushtetuese dhe si Kuvend i Kosovës nuk do të duhej të lejojmë të ndodh nën përkujdesjen dhe vetëdijen tonë” , tha ai.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka dhënë detaje për tri ligjet të cilat opozita kërkoi që të mos votohen, duke theksuar dëmet që mund të jenë në të ardhmen.

Tahiri: Votimi i tri ligjeve ka qëllim kapjen e institucioneve të pavarura

“Si opozitë mendojmë se kjo seancë mund të jetë si më e dëmshmja e kësaj legjislature për shkak se kjo seancë siç po shihet ka mundësi t’i miratoj tri ligje të cilat në esencë kanë vetëm një qëllim, kapjen e institucioneve të pavarura, të cila mbikëqyren nga bordet respektive dhe do të krijojnë dëme afatgjate”, tha ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi u shpreh i bindur se tri këto projektligje përmbushin standardet më të mira ndërkombëtare dhe se janë përgjigje ndaj fenomeneve shqetësuese në Kosovë.

Rrustemi: Nuk mund t’i kërkohet sponzorizuesit përmes rezolutës tërheqjen e këtyre projektligjeve

“Nuk mund t’i kërkohet sponzorizuesit përmes rezolutës tërheqjen e këtyre projektligjeve nga rendi i ditës. Për çka ne si grup parlamentar jemi kundër pa dyshim dhe qëndrojmë mbrapa qoftë propozimeve nga qeveria, qoftë nga amendamentet që janë bërë nga komisionet funksionale. Të tri projektligjet kanë ndjekur secilën procedurë në kuptimin e dëgjimeve publike, diskutimet me palët e interesit dhe secili deputet e ka pasur mundësinë që të bëjë vërejtje, sugjerime. Është e pashembullt se si deputetët e opozitës nuk japin asnjë kontribut në procedurat mes dy leximeve, nuk bëjnë asnjë vërejtje, asnjë kundërshtim, të mos them që nuk bëjnë asnjë propozim dhe ndërkohë vijnë në seancë plenare nëpërmjet një mocioni në mënyrë të përmbledhur kërkojnë që tri projektligje të tërhiqen nga rendi i ditës”, përfundoi ai.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *