Sht. Nën 23rd, 2024

Spanja, Irlanda dhe Norvegjia konfirmojnë njohjen e shtetit palestinez

Spanja, Norvegjia dhe Irlanda hedhën sot hapat konkretë për njohjen zyrtare të shtetit palestinez, duke nxitur reagimin e ashpër të Izraelit, ndërkohë që marrëdhëniet ndërmjet këtij shteti, Bashkimit Evropian dhe aleatëve të tjerë të Izraelit u përkeqësuan pas sulmit ndaj të të zhvendosurve në Rafah, që la të paktën 45 persona të vdekur, mbi gjysma gra dhe fëmijë.

Para takimit të kabinetit sot Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez e quajti vendimin historik.

“Ky vendim historik ka një qëllim, t’iu ndihmojë izraelitëve dhe palestinezëve të arrijnë paqen. Njohja e shtetit të Palestinës nuk është vetëm çështje drejtësie historike e aspiratave legjitime të palestinezëve, por është, mbi të gjitha, një domosdoshmëri nëse duam të arrijmë paqen”, deklaroi zoti Sanchez.

Irlanda dhe Norvegjia po ashtu vendosën ta njohin shtetin palestinez, duke iu bashkuar rreth 140 shteteve që tashmë e njohin atë. Por, asnjëra nga fuqitë perëndimore ende nuk e kanë njohur shtetin palestinez.

Megjithatë, sipas ndihmës profesorit të fakultetit të drejtësisë në universitetin e Utrehtit, Kushtrim Istrefi, njohja e shtetit palestinez nga tre shtetet evropiane ka peshë ligjore dhe politike dhe nga këndvështrimi i ligjit ndërkombëtar, po e shndërron në realitet zgjidhjen me dy shtete.

“Kemi parë aleatët më të fuqishëm, si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe shtete të tjera, që po nxisin qeverinë (izraelite) të ndryshojë strategjinë. Këto thirrje jo gjithnjë kanë funksionuar dhe mendoj se këto njohje po dërgojnë një sinjal më të fuqishëm, që kursi që po ndjek Izraeli nuk e ndihmon atë, sepse njohjet po vijnë si rezultat i asaj që po bën Izraeli, jo veprimeve të Palestinës. Prandaj është në interesin e Izraelit, të analizojë se përse aleatët e tij po i ofrojnë këto njohje,” thotë zoti Istrefi për agjencinë e lajmeve Reuters.

Kritikat e ashpra ndërkombëtare ndaj Izraelit u shtuan të martën, një ditë pas sulmit në qytetin e Rafahut, që shkaktoi 45 viktima mes të të zhvendosurve palestinezë në një kamp tendash. Sulmi në Rafah erdhi vetëm pak ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kërkoi nga Izraeli që t’i jepte fund ofensivës ushtarake në Rafah.

Kryeministri izraelit Netanyahu i tha parlamentit të hënën se sulmi në Rafah ishte “një gabim tragjik”.

“Kemi evakuuar rreth një milionë banorë nga Rafahu dhe megjithë përpjekjet tona që të mos shkaktojmë dëme ndaj civilëve, fatkeqësisht ndodhi një gabim tragjik. Po hetojmë rastin dhe do t’i bëjmë të ditura gjetjet”, deklaroi ai.

Një zyrtar ushtarak i tha agjencisë Associated Press se sipas një hetimi fillestar, zjarri në kapin e refugjatëve në Rafah është shkaktuar nga një shpërthim dytësor. Zyrtari tha se ushtria izraelite kishte goditur me dy bomba 17 kilogramëshe, duke vënë në shënjestër dy militantë të lartë të Hamasit. Sipas tij, municioni ishte shumë i vogël për të shkaktuar zjarrin dhe ushtria po shqyrton mundësinë nëse aty pranë kishte ndonjë depo armësh.

Që nga fillimi i operacionit në Rafah, rreth një milion palestinezë janë zhvendosur nga pjesa jugore e Rripit të Gazës. Shumica janë zhvendosur disa herë përgjatë ofensivës tetë mujore të Izraelit në Gazë, që ka për qëllim të eliminojë grupin militant Hamas, por që ka shkatërruar këtë territor dhe ka shkaktuar uri, sipas Kombeve të Bashkuara.

“Po vuajmë për ujë. Ecim 20-30 kilometra për të siguruar ujë nga Deti Mesdhe. Është vështirë të sigurosh ushqim. Nuk ka ndihma. Aeroplanët po hedhin ndihma, por ne nuk po i marrim ato. Situata është tragjike përtej imagjinatës”, tha i zhvendosuri Tamer Abu’l Kheir.

Sipas Kombeve të Bashkuara, për shkak të ofensivës në Rafah, ndihmat humanitare që po hyjnë në Gazë kanë arritur nivelin më të ulët që nga fillimi i luftës dhe janë të pamjaftueshme për të furnizuar me ushqime banorët e zhvendosur të enklavës.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *