Hën. Nën 25th, 2024

Specialja ua vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit për Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i DhSk-së, Michael Doyle gjatë konferencës javore në të cilën jepen informacione të përditësuara lidhur me punën e kësaj gjykate, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Doyle tha se vendimi është marrë me 15 maj në të cilin thuhet se Trupi Gjykues ka konstatuar se për të dy të akuzuarit vazhdon të ekzistojë rreziku që të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera.

“…më 15 maj, në vendime më vete për secilin, Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke konstatuar se për të dy të akuzuarit vazhdon të ekzistojë rreziku se do të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera kundër atyre që perceptohen se janë kundër UÇK-së, përfshirë dëshmitarë që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë çështje gjyqësore dhe/ose pritet të paraqiten para Dhomave të Specializuara të Kosovës. Gjykatësit konstatuan gjithashtu se komunikimet e të akuzuarve mund të kufizohen në një mënyrë që zvogëlon mjaftueshëm këto rreziqe vetëm me anë të zbatimit të kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, tha Doyle.

Ai gjithashtu tha se në këtë çështje gjyqësore në të cilën të akuzuar përveç Selimit dhe Krasniqit janë edhe Hashim Thaçi dhe Kadi Veseli, është miratuar kërkesa e Prokurorisë që një dëshmitar të jep dëshmi përmes video-lidhjes.

“Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, më 10 maj, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht një kërkesë të Mbrojtjes për zgjatjen e afatit për parashtrimin e përgjigjes ndaj kërkesës së Prokurorisë për të përfshirë materiale shtesë në listën e provave materiale. Materialet në fjalë kanë të bëjnë me dëshmitarët të cilët Prokuroria synon të thërrasë për të dhënë dëshmi në qershor dhe korrik të këtij viti. Më 14 maj, Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët miratoi një kërkesë të Prokurorisë që një dëshmitar të japë dëshmi nëpërmjet video-konferencës, duke theksuar rreziqet për sigurinë dhe faktorë tjerë të cilët i ngriti Prokuroria. Gjykatësit ndryshuan gjithashtu datat e planifikuara për dhënie të dëshmisë nga dëshmitari për 27 dhe 28 maj”, tha ai duke shtuar se seanca e radhës në këtë çështje gjyqësore është caktuar të martën me 21 maj duke filluar nga ora 09:00 e që si gjithnjë do të jetë me 45 minuta vonesë në transmetim.

Duke kaluar tek një çështje tjetër gjyqësore, Doyle tha se Administorja ka njoftuar gjykatësin e procedurës paraprake në lidhje me caktimin me kusht të Dr. Felisiti Geri si mbrojtëse e Ismet Bahtjarit dhe Toby Cadman si mbrojtës i shalës.

“Në çështjen gjyqësore të Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës, më 13 dhe 14 maj, Administratorja njoftoi Gjykatësin e Procedurës Paraprake në lidhje me caktimin me kusht të Dr. Felisiti Geri, si mbrojtëse të Ismet Bahtijarit dhe të z. Tobi Kadman si mbrojtës të Haxhi Shalës, pasi mori kërkesat nga të dy mbrojtësit për ndihmë juridike sipas Rregullores për Ndihmë Juridike të DHSK-së”, tha ai.

Doyle foli edhe për lirimin nën kushte të rrepta të ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilajt.

“Z. Isni Kilaj u lirua në Kosovë dje me kushte të rrepta, në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) të datës 3 maj 2024. Në vijim ky vendim u konfirmua edhe nga një Panel i Gjykatës së Apelit i DHSK-së më 13 maj 2024. Në vendim, Gjykatësi i Vetëm konstatoi se ende ekziston dyshimi i bazuar se z. Kilaj ka kryer, vetë ose së bashku me të tjerë, vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”, tha Doyle.

Zëdhënësi i DhSK-së, shtoi se është konstatuar se ende vazhdon rreziku që Kilaj të arratiset, pengoj procedurat gjyqësore ose të kryej vepra të tjera penale.

“Gjykatësi i Vetëm konstatoi gjithashtu se vazhdon të ekzistojë rrezik i moderuar që z. Kilaj të arratiset dhe mund të pengojë ecurinë e procedurave penale dhe të kryejë vepra penale të tjera. Ai konstatoi më tej se asnjë prej kushteve të paraqitura nga Mbrojtja e z. Kilaj dhe asnjë nga kushtet e tjera të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm nuk mund të kufizojnë plotësisht aftësinë e z. Kilaj për të penguar ecurinë e procedurave të DHSK-së dhe për të kryer vepra penale të tjera”, tha ai.

Megjithatë, ai tha se gjykatësi i procedurës paraprake erdhi në përfundimin se zgjatja e paraburgimit për Kilajn në rrethanat aktuale do të ishte e paarsyeshme, duke marrë në konsideratë prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën e tij për liri në rrethanat e zhvillimeve të reja.

Krahas kësaj, ai shtoi se gjykatësi ka theksuar në vendimin e tij se rreziqet që dalin si rrjedhojë elirimit të Kilajt nuk peshojnë më shumë se e drejta e tij për liri.

“Gjykatësi i vetëm mbajti parasysh se (i) z. Kilaj është mbajtur në paraburgim për pothuaj gjashtë muaj; (ii) për veprat penale për të cilat z. Kilaj konsiderohet i dyshuar mund të dënohesh nga një (1) deri në (5) vjet; dhe (iii) kërkesa e kohëve të fundit që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i paraqiti Gjykatësit të Vetëm për pezullimin e shqyrtimit të Aktakuzës së dorëzuar prej saj, për shkak se synon të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar, vonon në mënyrë të konsiderueshme kalendarin e procesit. Për këtë arsye, Gjykatësi i Vetëm vendosi që rreziqet që do të rezultonin prej lirimit të z. Kilaj nuk peshojnë më shumë se e drejta e tij themelore për liri”, tha Doyle duke shtuar se Kilajt iu caktuan disa kushte duke përfshirë edhe një garanci financiare në shumën prej 30 mijë euro.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *