Die. Nën 24th, 2024

Sulm i dyshuar izraelit ndaj Iranit, SHBA mohon përfshirjen

Izraeli ka sulmuar Iranin, sipas disa njoftimeve, megjithëse Izraeli nuk ka komentuar zyrtarisht. Media shtetërore iraniane njoftoi mëngjesin e të premtes se forcat e vendit kishin shkatërruar dronët me të cilët dyshohet se Izraeli kreu sulmin nga brenda Iranit duke u përpjekur të minimizonte pasojat. I vetmi zyrtar ndërkombëtar që konfirmoi publikisht se Izraeli qëndron prapa sulmit afër një centrali bërthamor në Isfahan të Iranit ishte kryediplomati italian, Antonio Tajani. Ai drejtoi sot një takim me homologët e shtatë vendeve më të zhvilluara të botës të cilët thanë se janë angazhuar për të shtensionuar situatën. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken që gjithashtu mori pjesë në takim nuk e mohoi deklaratën e homologut italian, por refuzoi të jepte detaje.

Autoritetet izraelite duket se kanë vendosur të mos e konfirmojnë zyrtarisht sulmin në orët e para të mëngjesit të së premtes, por Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani i cili në mëngjes udhëhoqi një takim të G7-ës në ishullin italian Kapri, tha se Uashingtoni u njoftua nga autoritetet izraelite për sulmin.

“Shtetet e Bashkuara u njoftuan në minutën e fundit. Këtë informacion Shtetet e Bashkuara nuk e ndanë me ne, ishte thjeshtë një informacion që u dha. Kemi lajme që nuk ka të lënduar, por po e ndjekim ngjarjen”, tha zoti Tajani.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili mori pjesë në takimin e G7-ës, nuk e kundërshtoi këtë, por nuk pranoi ta komentojë më tej. Ai megjithatë e bëri të qartë një gjë:

“Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë në asnjë operacion sulmues. Ajo në të cilën ne dhe G7-a jemi përqëndruar dhe kjo reflektohet në deklaratën tonë, është puna jonë për të shtensionuar situatën nga çdo konflikt i mundshëm”, tha zoti Blinken.

Zyrtarë evropianë dhe të vendeve të tjera si Rusia dhe Kina, nuk kanë pranuar të komentojnë sulmin në Iran, por gjithashtu kanë bërë thirrje për shtensionimin e situatës.

Zyrtarisht asnjëra palë, ajo izraelite dhe iraniane, deri më tani nuk kanë pranuar të komentojnë për atë që ndodhi, por agjencia e lajmeve Reuters shkruan se Teherani momentalisht nuk ka në plan të kundërpërgjigjet.

I vetmi që shkroi në rrjete sociale për sulmin ishte ministri izraelit Itamar Ben Gvir i cili është përfaqësues i të djathtës së skajshme. Me një fjali që përkthehet “i dobët” (feeble), ministri u akuzua nga kundërshtarët politikë se e turpëroi Izraelin duke thënë se shteti kreu një sulm të dobët ndaj vendit armik, Iranit.

Media shtetërore iraniane njoftoi për shpërthime pranë një baze ushtarake duke aluduar se sulmi nuk duket të jetë kryer nga një vend i jashtëm pasi dyshohet se dronët që u rrëzuan, ishin lëshuar nga brenda Iranit.

Raportet e medias shtetërore iraniane thanë se objektet bërthamore pranë qytetit Isfahan, për të cilat perëndimi dyshon se janë të përfshirë në zhvillimin e armëve bërthamore, nuk u dëmtuan. Raportimet e vazhdueshme të tyre janë munduar gjithashtu të minimizojnë pasojat e sulmit.

Incidenti ndodhi disa ditë pasi Irani gjuajti qindra dronë dhe raketa ndaj Izraelit si hakmarrje për sulmin ndaj ambasadës iraniane në Damask në Siri.

Shumica e dronëve dhe raketave të Iranit u rrëzuan përpara se të arrinin në territorin izraelit.

Një analist për Lindjen e Mesme nga universiteti i Tel Avivit tha të premten se sulmet e fundit midis Izraelit dhe Iranit kanë nxjerrë në shesh një luftë të gjatë në hije midis armiqve dhe kanë ndryshuar strukturën gjeopolitike në rajon.

“Ne shohim se lufta që deri tani është zhvilluar në hije midis Iranit dhe Izraelit, po kthehet në një luftë të hapur. Kjo ndryshon panoramën gjeopolitike të Lindjes së Mesme”, tha profesor Uzi Rabi nga Qendra ‘Moshe Dayan’ për Studimet e Lindjes së Mesme dhe Afrikane në Universitetin e Tel Avivit.

Ai sqaroi se sulmi iranian i së shtunës ka nxitur ndërtimin e koalicionit mes Shteteve të Bashkuara dhe shteteve arabe në përkrahje të Izraelit kundër Iranit, duke krijuar një rend të ri gjeopolitik.

Profesori Rabi megjithatë beson tha se Izraeli mund të përdorë sulmin e kufizuar ndaj Iranit, i cili me gjasë mund të zbus tensionet e drejtpërdrejta me Teheranin, për të forcuar mbështetjen për veprimet izraelite kundër Hamasit në Gazë dhe Hezbollahut në Liban.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *