Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për integrim Evropian, ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke vijuar me organizimin e zgjedhjeve në veri. Ndërsa thotë se është i bindur që zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës, do të përfundojnë qetë dhe të suksesshme.
“Për sa i takon çështjes së zgjedhjeve policia e Kosovës, por edhe e gjithë Ministria e Punëve të Brendshme është në dispozicion të KQZ-së, në mënyrë që këto zgjedhje të vijojnë dhe përfundojnë suksesshme. Për neve është imperativ që këto zgjedhje të mbahen në një atmosferë të qetë, të sigurtë, qoftë për organizatorët, po ashtu edhe për vet qytetarët atje. Me rëndësi është të institucionet e Kosovës janë duke vijuar me organizimin e procesit zgjedhor, ashtu siç është më së miri. Unë jam i bindur se gjithë ky proces do të përfundojë i qetë, i suksesshëm, duke i tejkaluar edhe problemet të cilat i përmenda”, u shpreh tutje ai.