Ish-kryenegociatorja e dialogut, Edita Tahiri thotë se me “Qeverinë Kurti, Kosova do të mbetet para dyerve të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e të cilës votat i kemi që nga koha e qeverisjes tonë”.
Këto komente, Tahiri i bëri pas deklaratave të ambasadorit gjerman Joern Rohde ku kritikoi Kosovën për mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.
“Me këtë Qeveri Kosova do te mbetet para dyerve të Këshillit te Evropës, për anëtarësimin e të cilës i kemi votat që nga koha e qeverisjes tonë- Ambasadori gjerman Rohde shpjegoi hapur se pa u zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pronën e Manastirit te Deçanit nuk do te ketë anëtarësim!”, shkruan ajo në Facebook.
Ai në një intervistë për emisionin, “Kallxo Përnime”, ka shtuar se pa respektuar vendimet e gjykatës, Kosova s’mund të bëhet anëtare e Këshillit të Europës.
“Kosova është i vetmi shtet që nuk është anëtar në Evropë, edhe pse disa shtete rishtazi janë larguar, por se dallimi i vetëm ka të bëjë me mënyrën më të mirë se si të arrihet ky synim sa më shpejt që është e mundur dhe ne kemi thënë publikisht që Këshilli i Europës është organizatë e sundimit të ligjit dhe mos zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës suaj të Lartë është shkelje e qartë e sundimit të ligjit dhe jo mënyra më e mirë për ta arritur këtë synim sa më shpejt që është e mundur” – tha Rohde.