Die. Nën 24th, 2024

Takimi në Ohër, analistët: Fokusi, plani i zbatimit të marrëveshjes

Në prag të takimit të 18 marsit në Ohër, njohësit e çështjeve politike thonë se nuk pritet nënshkrimi i ndonjë marrëveshjeje, por pritet që fokusi i këtij takimi të jetë plani i zbatimit të marrëveshjes.

Sipas tyre, çështjet më të ndjeshme pritet të jenë ato që ndërlidhen me nenin 7 dhe 10 të marrëveshjes, që kanë të bëjnë me vetë-menaxhimin e komunitetit serb në Kosovë dhe statusin e kishës ortodokse serbe.

Takimi i Ohrit, i cili pritet të mbahet më 18 mars ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, nuk pritet të sjellë rezultate të reja për sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kështu thonë njohës të çështjeve politike, duke theksuar se palët do t’i kenë interesat e tyre që do t’i përfaqësojnë atje. Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Holandë, Kushtrim Istrefi, tha për Radio Kosovën se ky takim do të fokusohet në planin e zbatimit të marrëveshjes sipas planit evropian.

“Është e vështirë të parashihet se çfarë saktësisht do të mund të arrihet në këtë marrëveshje. Varet nëse palët kanë pëlqime paraprake për planin e zbatimit apo nëse kjo do të diskutohet për herë të parë në Ohër. Nga ana e Serbisë ka një numër çështjesh, ndër të tjera është zbatimi i marrëveshjeve paraprake, pastaj njohja e pasaportave dhe dokumenteve të tjera të Kosovës.

Ndërsa, nga ana e Kosovës ajo që pritet të jetë çështja më e ndjeshme ndoshta, është ajo që ndërlidhet me nenin 7 dhe nenin 10 të marrëveshjes, që ka të bëjë me vetë menaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, çështjen e statusit të kishës ortodokse serbe dhe zbatimi i marrëveshjeve paraprake. Pra, me fjalë të tjera, kjo ndërlidhet me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.”

Profesori universitar, Dorajet Imeri, thekson se është vështirë të thuhet nëse mund të ketë diçka të re në takimin e Ohrit, pasi sipas tij, Serbia ka filluar të vendosë dyshimet lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes.

“Takimi i Ohrit më shumë do të jetë takim që mund të flitet ndoshta për fazat e zbatimit të marrëveshjes, se sa ndonjë ceremoni tjetër që mund të pritet nënshkrimi zyrtar i marrëveshjes ose jo. Madje, kam dyshim se Serbia mund të nënshkruajë ndonjëherë marrëveshje, për shkak të qasjes që ajo ka për gjithë dialogun. Prandaj, nuk mund të ketë diçka shumë të sigurt, të paktën jo për momentin në raport me atë se çfarë do të ndodhë në Ohër.”

Të pranishëm në takimin e Ohrit do të jenë edhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, për Politika të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, dhe emisari për dialogun, Miroslav Lajçak. Siç ka njoftuar zyra e BE-së, takimi do të fokusohet në finalizimin e Aneksit të zbatimit të Marrëveshjes, që çon në rrugën drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *