Hën. Sht 16th, 2024

Testi për drogë/ Ish-kryeinspektori i AKI-së pret vullnetarët e parë nga Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi: Rezultatet mund të na habisin

Arrestimi i Besnik Mujecit, asamblisti i deritashëm e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, nën dyshimet për trafikim me narkotikë ka ngjallur reagime të shumta në vend. Madje, ish-kryepinspektori i AKI-së, Burim Ramadani e ka vlerësuar të nevojshme që të bëhet testi për përdorim droge nga vendimmarrësit.

Në një prononcim për Indeksonline, Ramadani beson se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të dijnë për gjendjen eventuale të varshmërisë ndaj drogave për ata që paguhen nga taksat tona.

“Në veçanti për nivelin e vendimmarrësve, të cilët dhe të cilat vendosin se kah dhe si të shpenzohet Buxheti i Kosovës. Vendimmarrësit dhe vendimmarreset nuk obligohen me ligj në këtë çështje, porse si qytetar do të doja të bëhet publike nëse varëshmëritë ndaj drogave mund të ndikojnë në vendimmarrjet shtetërore”.

“Kosova është demokraci e re dhe çdo iniciativë që ndihmon sigurinë e qytetarëve se vendimmarrja nuk bëhet në ndonjë gjendje varshmërie do të ndihmonte në rritjen e besimit publik në sistemin politik e institucional, besoj unë. Pra, është propozim i vënë në publik për të ndihmuar publikun dhe jo panikuar ndokënd”, thotë Ramadani.

Ramadani thekson se propozimi i tij nuk drejtohet ndaj një kategorie të veçantë brenda atyre që marrin vendime, por është propozim për të gjithë, pa dallim.

Ish-kryeinspektori tutje thotë se nuk beson që ndokush është kundër që vendimmarrësit e shtetit të bëjnë narko-testin. Madje, ai pret që rastet e para veç të realizohen.

“Pres që do të kemi vullnetarët e parë nga Qeveria, Presidenca apo Kuvendi. Sërish, kjo do të bëhej vetëm në formë vullnetare, jo ligjërisht të obligueshme. Prandaj, jam i bindur se askush nuk është kundër. Mund të mos pëlqehet, por jo të kundërshtohet”, pohon ai.

Ndër tjera, ai tregon qe nuk duhet përjashtuar mundësinë që rezultatet mund të na habisin, pasi bëhet fjalë për rreth 500 persona vendimmarrës në nivel qendror të cilët dhe të cilat janë direkt në vendimmarrje.

“Sa i përket mundësisë që rezultatet të na habisin, unë besoj asnjëherë nuk ta përjashtojmë këtë mundësi. Po flasim për rreth 500 persona vendimmarrës në nivel qendror të cilët dhe të cilat janë direkt në vendimmarrje. Ndërsa, nëse përfshijmë nivlelin lokal, atëherë po flasim për rreth 1.600 persona shtesë në nivel komunal. Sërish, pa përfshirë këtu ndërmarrjet publike, agjencitë dhe institucionet e pavarura”, bën të ditur ai për Indeksonline.

Ramadani mohon se propozimi i tij për narko-testin lidhet me informacionet që mund të ketë si njohës i çështjeve të sigurisë, por edhe si ish-kryeinspektor në AKI.

“Kjo bindje e imja nuk ka asnjë lidhje me pozicionet e mia gjatë viteve dhe, sa i përket detyrës së fundit publike që kam pasur, disa herë e kam sqaruar se çfarëdo lloj informacioni që kam mësuar aty nuk do të përdoret asnjëherë nga unë as për qëllime profesionale dhe as qëllime personale. Ato janë të mbyllura për mua përgjithmonë. Unë jam qytetar i lirë, i paangazhuar nga institucionet publike, dhe obligimet ndaj legjislacionit në fuqi i kuptoj plotësisht”, thekson Ramadani./Indeksonline/

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *