Për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Kushtetuta është e qartë: “Presidenti e përfaqëson vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar”. Kështu ai tha të enjten, i pytetur se kush do ta udhëheqë dialogun”.
“Dialogun do ta udhëheqin përfaqësuesit legjitimë të Kosovës. Duhet të ketë energji pozitive dhe përkushtim. S’jemi në garë me njëri-tjetrin. Presidenti i vendit e përfaqëson vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, gjithçka është e përcaktuar me Kushtetutë. Autoritetet dhe kompetencat janë të qarta dhe mendoj se në asnjë drejtim s’ka asnjë dilemë”, ka thënë Thaçi.
Këtë deklaratë Thaçi e ka bërë teksa u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pas homazheve të shtatorja e Zahir Pajazitit për Ditën e Çlirimit të Prishtinës, transmeton KOHA.
Sa i përket vizitës në Prishtinë të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Thaçi ka thënë se rreth takimit me të do të përgjigjet pasi të njoftohet me agjendën dhe prioritetet e tij. Ka shtuar se ende nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar rreth vizitës së Lajçakut.
“Ende zyrtarisht s’jam i informuar, por do ta shohim agjendën dhe prioritetet që i ka në përkushtimin e tij si përfaqësues i BE-së. Pastaj do të përgjigjem si president i vendit. Por, për neve është me rëndësi që përfaqësuesit ndërkombëtarë që merren me këtë çështje ta trajtojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”.
Presidenti i vendi megjithatë ka vazhduar të shprehë besim tek çasja e SHBA-së.
“SHBA-ja e ka pasur rolin kryesor në liri pavarësi. Kam besim tek lidershipi i presidentit Trump dhe dinamika dhe energjia e ambasadorit Grenell, të cilat do të shënojnë rezultate efektive”.
Duke tërhequr paralele mes BE-së dhe SHBA-së, Thaçi ka thënë se “s’ka kohë për matje të pulseve apo trajtime seminarike për njohje reciproke, por për vendimmarrje historike”.